E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Betoni pushton Radhimën, qeveria jep leje për kompleksin 17 kate
Investigim

Betoni pushton Radhimën, qeveria jep leje për kompleksin 17 kate

Një sipërfaqe prej 24.467,6 m² pritet të zhvillohet në bregdetin e Radhimës, në një zonë që deri më tani është karakterizuar nga ndërtime sporadike dhe një densitet relativisht i ulët urban. Projekti i ri parashikon një kompleks me godina me lartësi të ndryshme, duke arritur deri në 15 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë.

Zhvillimi i kësaj sipërfaqeje ngre pikëpyetje për ndikimin që një volum i tillë ndërtimor mund të ketë në peizazhin e Radhimës dhe vijën bregdetare të Jonit. Ndërtimet, në vetvete, nuk përbëjnë domosdoshmërisht shkelje, nëse realizohen në përputhje me parametrat urbanistikë, arkitekturën e miratuar dhe koeficientët e përcaktuar të zhvillimit. Por pikërisht lartësia e objektit është një prej elementeve që bie më shumë në sy.

Një strukturë që ngrihet deri në 15 kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë do të ndryshojë ndjeshëm panoramën e zonës, sidomos në një hapësirë ku ndërtesat ekzistuese kanë qenë përgjithësisht më të ulëta dhe nuk kanë kaluar, sipas të dhënave të projektit, mbi 7 kate.

Masakrohet edhe Radhima – Qeveria jep leje për 17 katësh, masiv

Faksimile: Leja e ndërtimit për projektin “Flag bay”, 15 kate mbi tokë dhe 2 nëntokë

Dokumentet e lejes së ndërtimit, të zbardhura ditët e fundit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), i hapin rrugë projektit “Flag Bay”, i cili parashikon një objekt me funksione hotelerie, rezidenciale dhe shërbimesh.

Sipas lejes, objekti do të ketë volumetri të ndryshme, me 4, 5, 9 dhe 15 kate mbi tokë, si dhe 2 kate nëntokë. Projekti ndodhet në Radhimë, në territorin e Bashkisë Vlorë, ndërsa zhvillues është shoqëria “Koloss Konstruktion” sh.p.k.

Të dhënat e regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit bëjnë me dije se pronar i kësaj kompanie është Ellton Kollozi, i cili rezulton të ketë në pronësi edhe disa shoqëri të tjera.

Në dokumentacionin e projektit, zona përshkruhet si një territor me pozicion strategjik, në afërsi të vijës bregdetare dhe akseve kryesore rrugore. Sipas argumentimit të paraqitur në dokumente, vendndodhja krijon mundësi të favorshme për akses, ofron pamje natyrore dhe ka potencial të konsiderueshëm për zhvillim turistik dhe rezidencial.

Po në dokumente thuhet se zona po përjeton një zhvillim të shpejtë urban dhe është e lidhur me infrastrukturën ekzistuese, faktorë që, sipas projektuesve, e bëjnë kompleksin një pikë referimi për zhvillimin e mëtejshëm të zonës.

Masakrohet edhe Radhima – Qeveria jep leje për 17 katësh, masiv

Në foto: Pamja e jashtme e godinave që do të ndërtohen në Radhimë

Trualli prej 4,210 m², aktualisht i lirë nga ndërtimet

Në dokumentet teknike të projektit përshkruhet edhe gjendja aktuale e truallit ku do të ngrihet kompleksi.

Sipas përshkrimit zyrtar, parcela ka një formë të rregullt dhe një sipërfaqe prej 4,210 m². Aktualisht, trualli rezulton i lirë nga objektet dhe rrethohet nga një mjedis që ruan ende karakteristika rurale, me densitet të ulët ndërtimi dhe ndërhyrje të kufizuara urbane.

Pjesa më e madhe e territorit përreth përbëhet nga toka bujqësore, sipërfaqe me gjelbërim natyror dhe zona me vegjetacion spontan. Në këtë hapësirë ndodhen gjithashtu parcela të kultivuara, kryesisht me ullishte dhe kultura të tjera tradicionale.

Vija bregdetare ndodhet në afërsi të drejtpërdrejtë të truallit. Ajo shoqërohet me plazh dhe me rrugën bregdetare të zhvilluar në pjesën perëndimore të zonës. Kjo, sipas dokumentacionit, i jep pronës një karakter të qartë bregdetar dhe një potencial të konsiderueshëm për zhvillim.

Masakrohet edhe Radhima – Qeveria jep leje për 17 katësh, masiv

Masakrohet edhe Radhima – Qeveria jep leje për 17 katësh, masiv

Në foto: Gjendja egzistuese e truallit ku do të ndërtohet 17 katëshi, buzë detit Jon

Nga ndërtime të ulëta te një kompleks deri në 15 kate

Një tjetër element i evidentuar në dokumentacion është mënyra se si paraqitet zhvillimi ekzistues përreth parcelës.

Sipas KKTU-së, ndërtesat përreth janë të shpërndara dhe karakterizohen nga volumetri të ulëta. Ato përbëhen kryesisht nga struktura të vogla rezidenciale dhe objekte shërbimi.

Ky konfigurim, sipas dokumentit, tregon se zona ndodhet ende në një fazë të zhvillimit gradual urban. Në këtë kontekst, projekti i ri sjell një volum ndërtimor dukshëm më të madh, me lartësi që arrijnë deri në 15 kate mbi tokë.

Pikërisht kontrasti mes gjendjes aktuale dhe projektit të miratuar është një prej elementeve më të rëndësishme të zhvillimit. Një territor i përshkruar në dokumentet zyrtare si me densitet të ulët ndërtimi dhe me ndërhyrje të kufizuara urbane do të përballet me një strukturë të madhe shumëkatëshe, në një zonë të lidhur drejtpërdrejt me peizazhin bregdetar.

Masakrohet edhe Radhima – Qeveria jep leje për 17 katësh, masiv

Masakrohet edhe Radhima – Qeveria jep leje për 17 katësh, masiv

Arkitekturë bashkëkohore dhe përdorim i përzier

Në lejen e ndërtimit, qeveria e përshkruan objektin si një ndërtesë me arkitekturë bashkëkohore, e konceptuar përmes dy volumeve të ndërthurura, të cilat ndryshojnë në lartësi dhe formë.

Sipas dokumentacionit, kjo zgjidhje synon të krijojë një kompozim harmonik dhe dinamik në hapësirën urbane.

Objekti do të ketë përdorim të përzier. Katet e para janë parashikuar për shërbime, ndërsa katet e sipërme do të përdoren për banim.

Fasada kryesore është konceptuar me linja të pastra horizontale dhe ballkone të theksuara, ndërsa përdorimi i materialeve të ndryshme, përfshirë xhamin, metalin dhe betonin, synon të krijojë ritëm arkitektonik dhe një identitet të veçantë vizual.

Megjithatë, përtej përshkrimit arkitektonik dhe funksioneve të parashikuara, mbetet për t’u parë se si një zhvillim i përmasave të tilla do të integrohet realisht në peizazhin e Radhimës, një zonë ku dokumentet vetë evidentojnë praninë e tokave bujqësore, ullishteve, vegjetacionit natyror dhe një niveli ende të ulët të urbanizimit.

Projekti “Flag Bay”, me volumetri deri në 15 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë, pritet kështu të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në profilin e kësaj pjese të bregdetit të Vlorës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.