E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Po ndërtohet në zallin e detit në Radhimë”, qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente
Denoncime

“Po ndërtohet në zallin e detit në Radhimë”, qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e Publik.al nga qytetarë që ngrenë shqetësime lidhur me një ndërtim që po realizohet pranë vijës bregdetare në Radhimë, ku bëhet fjalë përballë hotel “Krela”. Ky ndërtim vjen në një periudhë kur, sipas tyre, janë në fuqi kufizime të qarta për punimet e ndërtimit gjatë sezonit turistik.

Sipas mesazheve dhe materialeve të dërguara në redaksi, qytetarët pretendojnë se në zonën ku po kryhen punimet është hedhur sasi e konsiderueshme zhavorri dhe gurësh, duke ndryshuar pamjen natyrore të bregut.

“Interesante është që këtu kanë hedhur bishtra cadrash. Si ka mundësi që kjo është tokë are, tokë bukë? Ku ka rërë e guricka?”, shkruan denoncuesi, duke shprehur dyshime mbi natyrën e ndërhyrjes që po kryhet në këtë pjesë të vijës bregdetare.

Nga fotografitë e siguruara nga Publik.al duken qartë struktura në ndërtim, sipërfaqe të mbuluara me zhavorr, si dhe elementë të vendosur përgjatë plazhit, ndërsa qytetari pretendon se punimet po vijojnë me ritme të shpejta.

Në denoncimin e tij, ai i referohet edhe një urdhri të Bashkisë Vlorë, i cili parashikon pezullimin e punimeve të ndërtimit dhe kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda gjatë sezonit turistik veror, në periudhën nga 5 qershori deri më 15 shtator.

“Ky është urdhër që ka hyrë në fuqi tani që po ju shkruaj. Ndërsa të fortët po ndërtojnë në zonë e zallit të detit. Po ecin me një shpejtësi të frikshme”, shprehet denoncuesi.

Në dokumentin e përcjellë në redaksi, Bashkia Vlorë njofton se gjatë sezonit turistik ndalohet zhvillimi i punimeve të ndërtimit në zona të caktuara turistike dhe bregdetare, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së sezonit dhe ruajtjen e hapësirave publike.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse objekti i fotografuar përfshihet në kategoritë e përjashtuara nga ky urdhër apo disponon autorizimet përkatëse.

Për këtë arsye, pretendimet e ngritura nga qytetarët mbeten për t’u verifikuar nga institucionet kompetente.

Publik.al i bën thirrje Bashkisë Vlorë, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse të sqarojnë publikisht:

  • Nëse punimet që shihen në fotografi janë të pajisura me lejet e nevojshme;
  • Nëse ndërtimi po zhvillohet në përputhje me legjislacionin në fuqi;
  • Nëse aktiviteti i konstatuar bie ndesh me kufizimet e vendosura për sezonin turistik;
  • Dhe nëse ka pasur ndërhyrje në vijën bregdetare apo në sipërfaqet publike të plazhit.

Deri në një reagim zyrtar të institucioneve, Publik.al po publikon shqetësimin e qytetarëve në interes të transparencës dhe informimit publik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.