Bilanci i protestës: 11 policë të plagosur, 18 persona të shoqëruar
Protesta e thirrur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u përshkallëzua në episode dhune, duke u shndërruar në përplasje të drejtpërdrejta mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Gjatë zhvillimit të protestës, grupe militantësh hodhën mjete piroteknike, molotovë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të rendit, si para godinës së Kryeministrisë ashtu edhe pranë Kuvendit. Si pasojë e këtyre akteve, 11 punonjës policie mbetën të lënduar dhe u transportuan për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa disa prej tyre vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve.
Në të njëjtën kohë, forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën dhe për të neutralizuar personat që ushtronin dhunë. Si rezultat i ndërhyrjes policore, 18 protestues u shoqëruan në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupet hetimore kanë nisur menjëherë punën për dokumentimin e plotë ligjor të episodeve të dhunshme, duke administruar pamje filmike, dëshmi dhe prova të tjera materiale që lidhen me sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimin e pronës publike.
Paralelisht, Policia ka identifikuar disa prej personave të përfshirë drejtpërdrejt në aktet e dhunës dhe vijon puna për shoqërimin dhe ndjekjen penale të tyre, ndërsa hetimet pritet të zgjerohen edhe ndaj organizatorëve dhe individëve që kanë nxitur përshkallëzimin e situatës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



