BKH kreu 19 kontrolle në hetimin ndaj Ballukut dhe rrethit të saj
Si pjesë e hetimeve penale që lidhen me zv/kryeministren Belinda Balluku dhe disa bashkëpunëtorë të saj, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka zhvilluar një aksion të gjerë kontrollesh në subjekte private dhe banesa zyrtarësh të përfshirë në dosjet hetimore.
Sipas burimeve, janë kryer fillimisht 19 kontrolle në dy kompani ndërtimi të njohura për përfitimin e tenderëve pranë institucioneve shtetërore si Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH). Kontrollet janë ushtruar edhe në ambientet e punës dhe banesat e punonjësve dhe drejtuesve të këtyre institucioneve, si dhe të përfaqësuesve të kompanive ndërtuese të dyshuara.
Burime nga terreni bëjnë me dije se aksioni është kryer ekskluzivisht nga agjentët e BKH-së, pa përfshirjen e Policisë së Shtetit në disa raste. Në të paktën tre kontrolle, të zhvilluara në zonën nën juridiksionin e Komisariatit nr. 3 në Tiranë, punonjësit e policisë janë mbajtur jashtë procesit, ndërsa në një rast konkret një punonjës policie është lënë jashtë derës dhe nuk është lejuar të marrë pjesë në kontroll.
Mes personave ndaj të cilëve janë ushtruar kontrolle rezultojnë edhe familjarë të drejtuesve të kompanive ndërtuese, si dhe figura të njohura të administratës publike. Sipas informacioneve, janë kontrolluar banesat e Viola Haxhiademit, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtoreshë e KESH-it, Gentian Gjylit, ish-drejtor i ARRSH-së (aktualisht nën masën “arrest shtëpie”), Erald Elezit, ish-drejtor i KESH-it (po ashtu nën “arrest shtëpie”), si dhe të Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços.
Hetimet drejtohen nga SPAK, ku zyrtarja më e lartë nën akuzë është zv/kryeministrja Belinda Balluku, për të cilën Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe dhënien e lejes për masë sigurie personale.
Paralelisht, SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj Ballukut për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, si dhe për 7 lote të projektit të Unazës së Madhe në Tiranë. Ajo dyshohet gjithashtu për përfshirje në të paktën tre procedura të tjera prokurimi me vlerë të lartë.
Me kërkesë të prokurorëve të posaçëm dhe me vendim të Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), gjatë së premtes janë kryer rreth 35 kontrolle në ambiente të ndryshme, përfshirë subjekte private dhe banesa. Objekt i kontrolleve kanë qenë edhe kompani të biznesmenëve që kanë përfituar tenderë miliona euro dhe që aktualisht janë nën hetim penal.
Sipas raportimeve, kontrolle janë ushtruar edhe në kompaninë “Gener 2”, në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj, fituese e tenderit për ndërtimin e rrugës Thumanë–Kashar, si dhe ndaj biznesmenit Ilir Shtufi, pronar i “Nova Construction – 2012” shpk, një nga operatorët fitues të Lotit 4 të Unazës së Madhe.
Gjatë kontrolleve në banesat e Gentian Gjylit dhe Erald Elezit, agjentët e BKH-së kanë sekuestruar telefona celularë dhe dokumentacion, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës për të avancuar hetimin.
Kontrollet janë autorizuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake Erion Çela, i njëjti magjistrat që më herët ka vendosur masën e pezullimit nga detyra ndaj Belinda Ballukut. Aksioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit dhe pritet që SPAK të dalë me njoftime të tjera zyrtare në vijim, ndërsa hetimi po thellohet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



