BKH-ja krijon “hartën” e krimit të organizuar me databazë sekrete
Cilat janë grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri dhe kush janë anëtarët e tyre? Sa janë pasuritë e krijuara përmes aktiviteteve kriminale dhe si shtrihet veprimtaria e tyre brenda dhe jashtë vendit? Këto janë disa nga pyetjet që synon t’u japë përgjigje një strukturë e posaçme pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
BKH ka nisur punën për krijimin e një “harte” të krimit të organizuar në Shqipëri, duke mbledhur dhe analizuar informacionet e siguruara nga institucione dhe agjenci të ndryshme, përfshirë edhe shërbimin sekret vendas.
Sipas të dhënave të bëra publike, informacioni do të përpunohet në një databazë të posaçme, e cila do të jetë e pavarur nga databazat e institucioneve të tjera. Mbledhja dhe analizimi i të dhënave po kryhet nga Sektori i Analizës dhe Vlerësimit të Informacionit Kriminal, strukturë e krijuar së fundmi brenda BKH-së.
Në këtë njësi janë angazhuar edhe dhjetë hetues të FBI-së shqiptarë, të cilët merren me përpunimin dhe analizimin e informacionit kriminal. Puna e tyre zhvillohet në bashkëpunim me prokurorët e SPAK, por edhe me autoritetet dhe agjencitë partnere jashtë vendit.
Një tjetër burim i rëndësishëm informacioni janë të dhënat e siguruara nga aplikacionet e komunikimit të enkriptuar, përfshirë platformat EncroChat dhe Sky ECC. Materialet e përftuara nga këto burime analizohen për të krijuar një panoramë sa më të plotë të aktivitetit të grupeve kriminale.
Në fokus janë jo vetëm identifikimi i personave që dyshohet se janë pjesë e organizatave kriminale, por edhe aktiviteti i tyre kriminal në Shqipëri dhe jashtë saj, lidhjet mes grupeve, rrjetet e bashkëpunëtorëve dhe pasuritë e lidhura me veprimtarinë kriminale.
Të dhënat e mbledhura nga kjo strukturë konsiderohen informacion sekret, ndërsa analiza e tyre synon t’u japë hetuesve një pamje më të qartë mbi organizimin dhe shtrirjen e krimit të organizuar në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



