Blic: Shqipëria i fik Serbisë ëndrrën e Botërorit në Leskovac!
Gazeta serbe Blic: Ndodhi ajo që serbët e kishin më shumë frikë: u “ndëshkuan” për lojën e dobët në Tiranë dhe në Riga, ku kishin shpëtuar me barazim ndaj Shqipërisë dhe fituar me vështirësi ndaj Letonisë.
Serbisë i dha goditjen përfundimtare goli i Rej Manajt në sekondat e fundit të pjesës së parë – po ai që kishte gabuar penalltinë në Tiranë.
Një humbje naive, madje e turpshme përballë një rivali që në letër kishte më pak yje, por tregoi më shumë disiplinë.
Trajneri Dragan Stojković “Piksi” futi në lojë pesë debutues, duke rrezikuar me Stanković dhe Milosavljević si titullarë dhe me Kostov, Ilić e Zukić nga stoli – vendime që u konsideruan si “vetëvrasëse” për një ndeshje të këtij niveli.
Serbia u rrëzua pas një gabimi qesharak: Ajeti e humbi topin, duke ia lënë perfekt për vole Manajt, i cili “shpoi” rrjetën e Petrovicit.
Pjesa tjetër e ndeshjes ishte një seri zhgënjimesh – Vlahović, Samardžić dhe Mitrović humbën raste të pastra, duke e kthyer ndeshjen në një farsë.
Rezultati final: 0-1 dhe një braktisje e turpshme e ëndrrës për Botërorin.
Matematikisht ende jo e pamundur, por praktikisht – fundi i rrugës për Serbinë. Katër pikë diferencë me Shqipërinë, dhe duhet të ndodhë një mrekulli (fitore ndaj Anglisë dhe humbje e Shqipërisë ndaj Andorrës) që serbët të shpresojnë. “Mirupafshim, Amerikë!”
Në fund, Piksi Stojković u dëgjua i vërshëllyer nga tribuna e Leskovcit, ku tifozët brohoritën “Piksi, ik!”.
Humbja ndaj Shqipërisë shihet si fund tragjik i epokës së tij në pankinën e kombëtares serbe.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



