E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bllokohet qarkullimi në autostradën Tiranë-Durrës
Lajme

Bllokohet qarkullimi në autostradën Tiranë-Durrës

Njihuni me oraret dhe rrugët alternative

Qarkullimi në autostradën Tiranë-Durrës do të ndërpritet përkohësisht gjatë dy netëve të ardhshme, për shkak të punimeve që po kryhen në kuadër të projektit për zgjerimin e superstradës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se sonte, më 21 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00 të mëngjesit, do të bllokohet drejtimi Tiranë-Durrës. Ndërprerja e qarkullimit lidhet me montimin e trarëve tërthorë në hapësirën qendrore të një mbikalimi.

Gjatë kësaj periudhe, automjetet do të devijohen nëpërmjet rampës që të çon drejt Rinasit dhe më pas do të vijojnë lëvizjen në rrugën dytësore. Rikthimi në superstradë do të bëhet përmes rrugës së Rinasit dhe rampës përkatëse në drejtim të Durrësit.

Për automjetet e rënda, veçanërisht kamionët, ARRSH ka përcaktuar një devijim tjetër. Këto mjete duhet të shmangin rampën provizore të Rinasit dhe të orientohen që nga rrethrrotullimi i Casa Italia.

Më 22 shtator bllokohet drejtimi Durrës-Tiranë

Ndërhyrjet do të vijojnë edhe natën e 22 shtatorit. Nga ora 23:00 deri në 05:00 do të ndërpritet qarkullimi në drejtimin Durrës-Tiranë.

Në këtë rast, trafiku do të devijohet përmes mbikalimit Kashar–Thumanë. Mjetet do të vijojnë në rrugën dytësore në krahun e majtë të superstradës dhe do të rikthehen në autostradë pasi të kalojnë mbikalimin e Kasharit.

Për automjetet që kanë destinacion Rinasin, Shkodrën apo Kosovën, orientimi do të nisë që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë, me qëllim që drejtuesit të ndjekin itinerarin përkatës.

ARRSH ka bërë të ditur se gjatë orëve të punimeve qarkullimi do të menaxhohet përmes rrugëve dytësore në të dyja anët e superstradës, sipas sinjalistikës dhe masave të përcaktuara në planin e menaxhimit të trafikut.

Autoriteti u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës që të tregojnë mirëkuptim gjatë kufizimeve të përkohshme.

Drejtuesve të automjeteve u rekomandohet që të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, nëse është e mundur, të shmangin këtë segment të autostradës gjatë intervalit kur do të zhvillohen punimet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.