Rritet përsëri çmimi i karburanteve në Shqipëri
Çmimi i naftës në tregun shqiptar është rritur sërish, duke arritur në 219 lekë për litër. Rritja e re vjen vetëm katër ditë pas ndryshimit të fundit të çmimeve, kur nafta u tregtua me 215 lekë për litër.
Kështu, brenda pak ditësh, konsumatorët shqiptarë po përballen me një tjetër rritje prej 4 lekësh për litër. Luhatjet e çmimeve të karburanteve janë bërë më të shpeshta që prej muajit qershor, në një kohë kur tregjet ndërkombëtare vijojnë të ndikohen nga zhvillimet gjeopolitike dhe tensionet mes SHBA-së dhe Iranit në zonën e Ngushticës së Hormuzit.
Nafta Brent rritet me 4 dollarë për fuçi
Rritja në tregun shqiptar përkon me shtrenjtimin e naftës në bursat ndërkombëtare. Më 15 gusht, një fuçi naftë Brent kushtonte rreth 88 dollarë, ndërsa aktualisht çmimi ka arritur në 92 dollarë për fuçi.
Kjo rritje është reflektuar edhe në tregun vendas. Krahasuar me çmimin e aplikuar katër ditë më parë, konsumatorët shqiptarë po e blejnë naftën rreth 1.86% më shtrenjtë.
Rritet edhe çmimi i naftës së importuar
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë gjithashtu një rritje të kostos së naftës së importuar.
Më 15 gusht, çmimi i naftës së importuar ishte 1,376 dollarë për ton. Një ditë më parë, kjo vlerë ishte rritur në 1,421 dollarë për ton, duke shënuar një diferencë prej 45 dollarësh për ton në harkun e pak ditëve.
Këto ndryshime në tregjet ndërkombëtare dhe në koston e importit krijojnë presion të drejtpërdrejtë edhe mbi çmimin që paguajnë konsumatorët në pikat e karburantit në Shqipëri.
A do të rikthehet Bordi i Transparencës?
Nëse luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare vijojnë, nuk përjashtohet mundësia që Këshilli i Ministrave të rikthejë mekanizmin e Bordit të Transparencës për karburantet.
Bordi u ndërpre më 19 qershor nga ministria e drejtuar në atë kohë nga Delina Ibrahimaj, me argumentin se situata në tregjet ndërkombëtare të hidrokarbureve ishte përmirësuar dhe nuk justifikonte më ndërhyrjen përmes këtij mekanizmi.
Megjithatë, zhvillimet e muajve korrik dhe gusht kanë sjellë sërish luhatje të ndjeshme të çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar. Ndryshimet e shpeshta të çmimit në Shqipëri janë një tjetër tregues i ndikimit që kanë këto zhvillime te konsumatorët vendas.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



