Majko “dhëmbë për dhëmbë” me Berishën: A mund të flasë dikush në partinë e tij si unë në PS?
Ish-kryeministri Pandeli Majko ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e përmendi gjatë diskutimeve në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Majko iu përgjigj me ironi kreut të demokratëve, duke u ndalur te komentet e tij dhe duke e lidhur mënyrën e komunikimit të Berishës me moshën. Sipas ish-kryeministrit socialist, edhe batutat e liderit të opozitës janë të vjetruara.
Por reagimi i Majkos nuk u kufizua vetëm te ironia. Ai ngriti edhe një pyetje për mënyrën se si funksionon Partia Demokratike, duke vënë në pikëpyetje nëse brenda kësaj force politike ekziston e njëjta hapësirë për debat dhe kundërshtim që, sipas tij, ai gëzon në Partinë Socialiste.
Majko u shpreh se Berisha nuk mund ta mposhtë politikisht Partinë Socialiste, pavarësisht vështirësive që kjo e fundit mund të kalojë. Ai argumentoi gjithashtu se kreu i PD-së nuk mund të përfaqësojë aspiratat europiane të të rinjve që sot dalin në protesta.
Në përfundim të reagimit, ish-kryeministri la një tjetër mesazh thumbues për Berishën, duke nënvizuar se askush nuk mund t’i shpëtojë natyrës dhe identitetit të vet.
Reagimi i plotë i Pandeli Majkos:
“Berisha më paska përmendur sot në Kuvend…!
I vetmi justifikim është mosha e tij! Edhe batutat i ka të ‘moshuara’!
Këtë individ, e bënë lider, studentët! Zgjedhjet e tij e bënë atë, ‘non grata’!
E vetmja pyetje që duhet t’i bëj vetes është nëse dikush në forumet e partisë së tij mund të flasë si unë tek partia ime?
Socialistët një mijë herë të bien në tokë, sërish do të ringrihen!
Berisha nuk i mund dot socialistët! Ta harrojë!
Arsyeja është e thjeshtë! Berisha nuk mund të jetë një ëndërr për të ardhmen europiane edhe të atyre djemve e vajzave që protestojnë sot!
Askush nuk i shpëton asaj që është! Berisha më shumë se askush!”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



