E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Braçe kundër përjashtimit të Spiropalit: Kritikat janë të vërteta!
Lajme

Braçe kundër përjashtimit të Spiropalit: Kritikat janë të vërteta!

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për herë të parë ndaj debatit të fundit brenda Partisë Socialiste, që përfshin kryeministrin Edi Rama dhe deputeten Elisa Spiropali. Kjo e fundit ka mbajtur një qëndrim kritik dhe publik ndaj kryesocialistit, duke e sfiduar hapur edhe për mundësinë e përjashtimit nga grupi parlamentar.

I ftuar në Euronews Albania, Braçe u shpreh se nuk sheh asnjë arsye pse Spiropali duhet të përjashtohet, duke theksuar se qëndrimet e saj janë brenda normales dhe duhen parë si pjesë e një debati të shëndetshëm.

“Pse duhet të përjashtohet zonja Spiropali? Nuk e kuptoj pse duhet të kërkohet përjashtimi i saj. Këto janë gjëra normale në këndvështrimin tim. Kë shqetëson këndvështrimi im? Në qoftë se janë të shqetësuar për urdhra, hajde ta diskutojmë këtë gjë”, tha ai.

Braçe nënvizoi gjithashtu rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe pranimit të kritikës brenda forcës politike, duke e konsideruar këtë si një element thelbësor për funksionimin e shëndetshëm të pushtetit.

“Duhet t’i themi gjërat në sy për gjërat që nuk shkojnë dhe të kemi bonsensin t’i pranojmë, se nuk është sakrilegj të pranosh kritika për pushtetin… Përjashton partia, jo individët. Mendoj se PS nuk përjashton”, u shpreh ai.

Sa i përket mundësisë që një vendim për përjashtimin e Spiropalit të merret nga kryeministri, Braçe theksoi se një vendim i tillë nuk i takon një individi të vetëm, por strukturave të partisë.

Më tej, deputeti socialist pranoi se shqetësimet e ngritura nga Spiropali lidhur me fenomenet e ashtuquajtura “ministrokraci” dhe “drejtorokraci” janë reale dhe ndihen gjerësisht edhe nga deputetët e tjerë.

“Për shembull, personalizimi i pushtetit është një gjë që e vuan qeverisja. E ka vuajtur qeveria e mëparshme dhe e vuan edhe qeveria e tanishme. Ministrokracinë dhe drejtorokracinë, patjetër që e vuan qeverisja. E vuajmë edhe ne deputetët, sepse është një element i pabarazisë mes atyre që janë ministra dhe deputetë, që kanë gjithë hierarkinë e shtetit në varësinë e tyre, dhe ne të tjerëve që nuk kemi asgjë. Po e vuajmë, sepse është një element pabarazie brenda PS-së”, deklaroi ai.

Në fund, Braçe komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Rama, i cili e ka cilësuar Spiropalin si “investimin” e tij politik, duke e konsideruar këtë si një raport personal mes dy individëve.

“Kjo është marrëdhënie mes të dyve. Nëse zonja e pranon këtë gjë dhe kryeministri e pranon këtë gjë, atëherë është një marrëdhënie mes të dyve. Është çështja e tyre. Por ajo që dua të them është se ne të gjithë jemi investime të Partisë Socialiste dhe jemi deficitarë ndaj saj”, u shpreh Braçe.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.