E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Braçe shpërthen ndaj AZHBR-së: Kemi para dhe nuk i paguajmë fermerët
Lajme

Braçe shpërthen ndaj AZHBR-së: Kemi para dhe nuk i paguajmë fermerët

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj administratës shtetërore për numrin e lartë të ditëve të pushimit gjatë fundvitit, duke e cilësuar këtë situatë si neglizhencë të rëndë ndaj fermerëve, të cilët, sipas tij, punojnë pa ndërprerje dhe presin mbështetjen financiare që u takon me ligj.

Në një reagim publik në rrjetet sociale, Braçe thekson se gjatë dy javëve të fundit të muajit dhjetor janë punuar vetëm pesë ditë, ndërkohë që nevojat e qytetarëve, veçanërisht të fermerëve, nuk kanë pushim. Ai shprehet se ka marrë dhjetëra mesazhe nga fermerë që presin pagesat për naftën, blegtorinë dhe skema të tjera mbështetëse.

Sipas deputetit socialist, viti 2025 është mbyllur me 13 milionë euro mbështetje për bujqësinë të papaguara, ndërsa përmes një akti normativ janë shtuar edhe 19 milionë euro të tjera. Në total, bëhet fjalë për 32 milionë euro që ende nuk janë disbursuar për fermerët.

Braçe kritikon drejtpërdrejt Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), duke theksuar se institucioni ka dështuar të realizojë pagesat brenda afatit ligjor. Ai shkon më tej, duke kërkuar ristrukturimin e plotë të këtij institucioni.

Sipas tij, situata është paradoksale: për vite me radhë mungesa e fondeve ka qenë problem për bujqësinë, ndërsa tani që fondet janë në dispozicion, pagesat nuk kryhen. Braçe nënvizon se fermerët punojnë çdo ditë, në kushte të vështira atmosferike, ndërsa administrata nuk duhet të funksionojë me ritme pushimi kur bëhet fjalë për jetesën e tyre.

Postimi i plotë i Erion Braçes:

Më në fuuuund në punë!

“Më në fuuund” sepse dy javet e fundit është punuar 5 ditë në total, kaq shumë ditë pushim kishte dhe të tjera dhjetori, mund të jenë të vlefshme për rikuperim e konsum, por ka edhe nevoja të tjera ky vend; Njerëzit duan të marrin çfarë u takon dhe natyrisht të marrin edhe shërbim.

Për shembull;

Gjatë këtyre ditëve “pushim”, nga njerëz që punojnë, populli i fshatit është në punë pa pushim, kam marrë shumë mesazhe për “lekët e mbështetjes për nafte, bagëti etj”; Lexojini dy prej tyre këtu në vijim.

Sot mësoj se e kemi mbyllur vitin me 13 milionë euro mbështetje për bujqit në punë pa paguar, ndërkohë që kemi shtuar edhe 19 milionë euro me aktin normativ. Gjithsej, 32 milionë eurove për t’u paguar bujqve!

Ne kemi patur problem pamjaftueshmërinë e parave për bujqit, tani që kemi para nuk paguajmë.

Natyrisht AZHBR dështoi të paguante paratë brenda vitit dhe po e përsëris, duhet zhbërë nga themelet.

Këta njerëz duhet të jenë 24 orë në punë të paguajnë bujqit që nuk punojnë në zyra siç këta, por në fushë mes shiut, në sera të ngrira nga ftohti i fillimvitit, në stalla etj!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.