Braçe shpërthen ndaj Call Center-ave: ‘Forex’ po na bën gazin e botës
Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar miratimin e ndryshimeve ligjore që synojnë kontrollin e flukseve të investimeve të huaja në Shqipëri.
Sipas Braçes, shqetësimi lidhet me rritjen e asaj që ai e cilëson si agresion ekonomik rus, i cili, sipas tij, është shtrirë deri pranë kufijve të Shqipërisë, duke ushtruar ndikim përmes kontrollit të ndërmarrjeve italiane.
“Agresioni rus ka ardhur në kufijtë tanë. Ka një trefishim të kontrollit të ndërmarrjeve italiane, për gjashtë muajt e fundit të vitit që shkoi në Itali, në Itali, që ka një kontroll shumë efikas sesa ne që s’kemi asgjë në këtë rast. Kanë ardhur në Itali, por kontrollin e kompanisë italiane që pastaj ja ku e kam bregun përballë. Për të ushtruar aktivitetin e tyre edhe që ne jemi atraktiv për ta, vazhdojmë të jemi atraktiv për ta, do të thotë, kontroll, ë, edhe mbi ekonominë tonë. Që do të thotë na duhet instrumenti që s’e kemi për kontrollin e fluksit të kapitaleve të huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, veçanërisht nga vende jo-mike. Besoj t’i kemi një kohë të dytë për të diskutuar pikërisht për këtë problematikë dhe patjetër, bashkë me qeverinë të hartojmë gjërat e duhura për t’i dhënë vëmendje”, tha Braçe.
Deputeti socialist ngriti gjithashtu shqetësime edhe për mungesën e kontrollit ndaj platformave mashtruese financiare, si ato të tipit Forex, të cilat sipas tij po dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Duke folur për aktivitetin e këtyre platformave, që sipas tij mashtrojnë qytetarë europianë nga territori i Shqipërisë, Braçe theksoi se pasiviteti institucional po e kthen vendin në objekt talljeje për opinionin publik ndërkombëtar.
“Ka tre vite që ngremë shqetësimin e platformat mashtruese FOREX, po bëhemi gazi i botës, dhe një seri institucionesh që bëjnë pas nga AMF, tatimet, Inteligjenca financiare apo policia të bëjnë pas e të mos bëjnë asgjë. Duhet të zbulohen me 2 investigime të huaja e vendase. këta individë janë në zemër të Tiranës, në ambientet e luksit, në sy të të gjithëve. Janë këto palaço që kriminalizojë vendin dhe imazhin e financiar të këtij vendi”, kërkoi Braçe.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



