Ditmir Bushati shpërthen keq ndaj Ramës pas koncertit të Kanye West
Paratë publike nuk duhet të shkojnë për spektakël kur vendi ka halle më të mëdha
Ish-ministri i Jashtëm thotë se debati mes protestës dhe koncertit është artificial, ndërsa ngre pikëpyetje për përdorimin e fondeve publike dhe mënyrën e qeverisjes.
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pas debatit publik që u ndez lidhur me koncertin e reperit amerikan Kanye West në Tiranë, duke shprehur kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisë dhe mënyrës se si, sipas tij, po menaxhohen prioritetet publike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bushati thekson se përplasja e krijuar mes protestave qytetare dhe koncertit është e panevojshme dhe nuk i shërben interesit të vendit. Sipas tij, një shoqëri demokratike ka nevojë si për protesta, ashtu edhe për aktivitete kulturore, ndërsa qytetarët duhet të jenë vendimmarrës dhe jo thjesht spektatorë.
Ai vlerëson se protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit kanë krijuar një jehonë ndërkombëtare që, sipas tij, nuk mund të zëvendësohet nga asnjë koncert, pavarësisht përmasave apo emrit të artistit.
Bushati shprehet se shqetësues mbetet fakti që politika nuk po reflekton ndaj kërkesave të qytetarëve, duke thelluar, sipas tij, distancën mes institucioneve dhe publikut.
Në reagimin e tij, ish-ministri ndalet edhe te përdorimi i parave publike për organizimin e eventeve të mëdha artistike. Ai ngre pyetje nëse është e arsyeshme që fondet publike të përdoren për argëtim në një kohë kur vendi përballet me sfida të rëndësishme ekonomike dhe sociale.
Bushati shtron gjithashtu pikëpyetje mbi financimin e një koncerti të organizuar nga një kompani private dhe mbi ndikimin që, sipas tij, ka një artist i huaj në zhvillimin kulturor të vendit. Në përfundim, ai argumenton se çështja nuk lidhet vetëm me koncertin apo emrin e artistit, por me modelin e qeverisjes dhe mënyrën se si merren vendimet për përdorimin e burimeve publike.
Reagimi i plotë i Ditmir Bushatit:
SHQIPTARËT VENDIMMARRËS, JO SPEKTATORË
Në një shoqëri demokratike njerëzit janë të lirë të bëjnë zgjedhjen që mendojnë se është më e mira për ta. Debati i stisur mes protestës dhe koncertit është përçarës dhe joproduktiv. Shqipëria ka nevojë edhe për protesta edhe për koncerte.
Dritat dhe hareja e një koncerti zgjasin pak, krahasuar me protestat disa javore që i kanë dhënë Shqipërisë një imazh ndërkombëtar që nuk ka para e koncert që e krijon. Një imazh, që pasqyron shpirtin e gjallë të një shoqërie që ngrihet në këmbë e lufton me dinjitet për vendin e vet.
Shqetësues është fakti që politika nuk po reflekton ndaj shqetësimeve serioze që paraqet protesta, duke thelluar hendekun me popullin.
Protesta që filloi si zemërim për aksesin në tokë e plazh dhe ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët natyrore është shndërruar në një frymë më të madhe që ka të bëjë me thelbin e demokracisë. Në atë se kush e si duhet të vendoset për të ardhmen e Shqipërisë.
Pyetjet nuk duhet të shtrohen nëse je me koncertin apo me protestën, pasi janë dy anë dhe jo dy pole, siç duan t’i trajtojnë brigadat digjitale.
Pyetjet që kërkojnë përgjigje kanë lidhje me thelbin e sistemit qeverisës që duam të ndërtojmë: Pse duhen shpenzuar paratë publike për argëtim, ndërsa vendi përballet me probleme më të mprehta ekonomike e sociale?
Pse shqiptarët duhet t’i japin miliona euro një kompanie private dhe një artisti që nuk kontribuon në zhvillimin kulturor të vendit? Edhe sa kohë do ta trajtojmë kulturën si spektakël?
Në këto kushte, përvetësimi politik dhe financimi me paratë tona i koncertit merr rëndësi përtej koncertit dhe emrit të artistit, pasi zbulon një model të vjetëruar qeverisës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



