E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Burri e masakroi me sqepar/ Gruaja: I lutesha, aman mos më vrit, ai vazhdonte
Publik News

Burri e masakroi me sqepar/ Gruaja: I lutesha, aman mos më vrit, ai vazhdonte

U mbylla në banjë e gjaku…

Një 57-vjeçare në Memaliaj i ka shpëtuar mrekullisht sulmit të të shoqit me sqepar, teksa ai ishte në gjendje të dehur. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të së dielës, kur Antoneta Myrtaj, e cila është edhe invalide, u dhunua barbarisht nga bashkëshorti i saj, Ferit Myrtaj. Ky i fundit u arrestua për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje.

“Më gjuajti nga koka te këmbët me pjesën e pasme të sqeparit. Edhe mund të kisha vdekur, do isha harruar”. Kështu e ka nisur rrëfimin e saj dje 57-vjeçarja, teksa ndodhej në spital. Goditjet i kanë shkaktuar asaj fraktura në kokë dhe trup.

Sipas dëshmisë së dhënë prej së dëmtuarës, ngjarja ndodhi në shtëpi kur 65-vjeçari, në gjendje të dehur, është kapur me fjalë me të shoqen e më pas e ka goditur me anën e pasme të sqeparit. Në momentin kur bashkëshorti u kthye në banesë, ajo tregon se ndodhej te fqinja pranë dhe e ka gjetur atë teksa e priste jashtë derës së apartamentit.

“Kur vajta në shtëpi, ai më priste përjashta. Nisi të bërtiste. I thashë mos bërtit se është turp. Më kërkonte lekë. Ai pi shpesh dhe kërkon lekë. Unë kam vetëm pensionin tim të invaliditetit, kurse ai pensionin e minatorit. Do të të vras, më tha, dhe më goditi me sqepar. I lutesha, aman mos më vrit, çfarë të kam bërë. Por ai vazhdonte të godiste. U mbylla në banjë, ndërsa gjaku më rridhte. Thërrita me sa fuqi kisha ‘ndihmë, ndihmë’. Erdhi Policia, shqeu derën e më morën me ambulancë. Ai ishte në shtëpi gjatë kësaj kohe. Ishte ulur dhe rrinte”, rrëfen e plagosura.

Antoneta tregon se kalvari i saj i vuajtjeve ka nisur që në vitet e para të martesës. I shoqi pinte gjithmonë dhe e godiste atë. Por siç ajo tregon, mentaliteti i kohës nuk e la që t’i jepte fund kësaj marrëdhënieje të dhunshme dhe me bashkëshort të alkoolizuar. Me kalimin e kohës, situata, sipas saj, pati njëfarë përmirësimi, por pesha e viteve dhe sëmundjet që kanë mposhtur fizikisht dy ish-minatorët e Memaliajt, e çuan Faikun sërish drejt alkoolit.

“Kishte disa kohë që nuk më godiste. Kur qe i ri, më dhunonte gjithmonë. Ka pirë që kur u martuam. Ndaloi ca kohë, por që kur u sëmur nga këmbët, filloi prapë të pinte”, thotë 57 vjeçarja.

Dy ish-minatorët jetojnë të vetëm dhe të ardhura kanë pagesën e invaliditetit të gruas dhe pensionin e minatorit të të shoqit. Gjendja e vështirë ekonomike ka rënduar më shumë situatën në familjen e tyre, duke e çuar 65vjeçarin sërish drejt pijes.

Antoneta Myrtaj rrëfen se ata janë debitorë të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm. Prej tre vitesh po shlyejnë debitë e prapambetura, çka ka rënduar së tepërmi ekonominë e tyre familjare, krahas vesit të të shoqit për alkoolin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.