Buxheti i Tiranës për 2026, Veliaj thirrje urgjente Këshillit Bashkiak
“Duhet të më merrni mendimin”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar me një letër zyrtare Këshillit Bashkiak të Tiranës para miratimit të projektbuxhetit për vitin 2026.
Në letrën e tij, Veliaj thekson se sipas ligjit, çdo shqyrtim dhe miratim i buxhetit duhet të bëhet pas konsultimit me Kryetarin e zgjedhur të Bashkisë, pasi miratimi pa këtë konsultim përbën devijim nga standardet e qeverisjes vendore dhe pengon realizimin e mandatit të tij demokratik.
Në letrën e plotë, Veliaj i drejtohet Këshillit Bashkiak:
“Ju drejtohem në cilësinë time kushtetuese dhe ligjore si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, për t’ju kërkuar që, përpara shqyrtimit dhe miratimit, të konsultoni dhe të merrni paraprakisht mendimin dhe vullnetin tim institucional mbi projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026.”
Veliaj kujton se më 18 dhjetor, Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë dhe miratojë projektbuxhetin për vitin 2026, i cili përbën aktin më të rëndësishëm financiar dhe politik të vitit për një bashki, pasi buxheti është instrumenti kryesor për realizimin e mandatit politik të Kryetarit të Bashkisë, mandat i dhënë drejtpërdrejt nga qytetarët.
Ai shton:
“Sipas ligjit nr. 139/2015 ‘Për vetëqeverisjen vendore’, ligjit nr. 68/2017 ‘Për financat e vetëqeverisjes vendore’ dhe praktikës së konsoliduar të vetëqeverisjes vendore, propozimi i buxhetit është atribut ekskluziv i Kryetarit të Bashkisë. Çdo buxhet që miratohet pa konsultim real dhe substancial me Kryetarin e zgjedhur nuk mund të konsiderohet shprehje e vullnetit politik të qytetarëve, por vetëm një akt formal administrativ, i zhveshur nga legjitimiteti demokratik.”
Veliaj vëren gjithashtu se zbatimi i buxhetit të vitit 2025 ka pasur një nivel realizimi shumë të ulët, duke shënuar një paralizë institucionale në Bashkinë e Tiranës. Në këto kushte, miratimi i buxhetit të vitit 2026 pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur, sipas tij, do të vijojë këtë gjendje dhe do të pengojë realizimin e prioritetve të qytetarëve.
Për këtë arsye, Veliaj kërkon që Këshilli Bashkiak:
-
Të realizojë konsultim institucional me Kryetarin e Bashkisë për të siguruar që buxheti të reflektojë prioritetet politike dhe programore për të cilat qytetarët e kanë votuar;
-
Të marrë në konsideratë se dëgjesat publike pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e Kryetarit të zgjedhur nuk mund të zëvendësojnë këtë konsultim;
-
Të vlerësohet se miratimi i projektbuxhetit pa propozimin dhe konfirmimin nga Kryetari i zgjedhur, në thelb, do të institucionalizonte përjashtimin e tij nga ushtrimi i funksioneve kushtetuese.
Veliaj përfundon duke nënvizuar se çdo buxhet i miratuar në këto kushte do të cenonte direkt legjitimitetin demokratik të mandatit të Kryetarit të Bashkisë, me pasoja serioze për qeverisjen vendore dhe autonominë e vetëqeverisjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



