“Call Center”-i në zemër të Tiranës, zbardhet dëshmia e italianit të arrestuar
Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin italian Cosimo Notaristefano, i arrestuar në kuadër të operacionit të zhvilluar nga SPAK ndaj një call center-i të dyshuar për mashtrime financiare ndërkombëtare në një prej kullave në Tiranë.
Vendimi u mor nga Gjykata e Posaçme pas seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, ku Notaristefano kundërshtoi akuzat dhe kërkoi një masë më të butë. Në deklarimet e tij para trupës gjykuese, ai theksoi se ka qenë thjesht i punësuar në strukturë dhe se nuk kishte dijeni për aktivitetet që dyshohet se kryheshin në qendrën e thirrjeve.
Sipas tij, roli i tij ka qenë teknik dhe i kufizuar vetëm në mirëmbajtjen e sistemeve, pa asnjë përfshirje në operacionet financiare apo në marrëdhëniet me investitorët e huaj. Ai u shpreh se nuk ka pasur asnjë funksion vendimmarrës dhe se nuk ka qenë i informuar për skemën e pretenduar të mashtrimit.
Gjatë seancës, shtetasi italian paraqiti edhe argumente lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, duke deklaruar se vuan nga disa probleme serioze dhe duke kërkuar një alternativë ndaj arrestit në burg. Ai propozoi masa të tjera sigurie, përfshirë edhe garanci pasurore, me qëllim që të shmangte izolimin në paraburgim.
Notaristefano deklaroi gjithashtu se nuk ishte në dijeni se ishte shpallur në kërkim dhe se në momentin e ndalimit po përgatitej të udhëtonte drejt Italisë, një lëvizje që sipas tij e kryente rregullisht çdo dy muaj.
Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, gjykata vendosi që ai të qëndrojë në arrest me burg, ndërsa hetimet për aktivitetin e dyshuar të call center-it dhe rolin e personave të përfshirë vijojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



