GJKKO dënon nënën e Monika Kryemadhit, ja sa vite burg mori Fatime Kryemadhi
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për tre të pandehurit në fraksionin e dosjes Meta-Kryemadhi: Fatime Kryemadhin, Piro Xhixhon dhe Ema Çokun. Përveç dënimeve dhe pafajësisë, një prej vendimeve të rëndësishme të gjykatës lidhet edhe me kërkesën e SPAK për konfiskimin e vilës së Fatime Kryemadhit në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, kërkesë e cila është rrëzuar.
Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, është dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për veprën penale të pastrimit të parave, të kryer në bashkëpunim. Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit është reduktuar në 5 vite burg. Megjithatë, duke marrë parasysh moshën e saj, GJKKO ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare.
Sipas hetimeve të SPAK, Fatime Kryemadhi dyshohej se kishte përdorur shuma të konsiderueshme parash cash për të shlyer kredi të marra për blerjen e pasurive të paluajtshme. Prokuroria kishte pretenduar se ajo nuk kishte justifikuar burimin e ligjshëm të 98 mijë eurove, 246 mijë dollarëve dhe 100 mijë eurove të tjera, të cilat ishin deklaruar si pagesa nga kompania AGI Kons, si dhe të shumave të tjera të konsideruara me origjinë të pajustifikuar.
Në kuadër të kësaj çështjeje, SPAK kishte kërkuar edhe konfiskimin e vilës së saj në Kodrën e Diellit. Megjithatë, GJKKO nuk e ka pranuar këtë kërkesë, duke rrëzuar pretendimin e Prokurorisë së Posaçme për marrjen e pasurisë.
Pafajësi për ish-kreun e AKEP-it, Piro Xhixho
Një tjetër vendim i gjykatës lidhet me Piro Xhixhon, ish-drejtuesin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), i cili është shpallur i pafajshëm.
Xhixho akuzohej nga SPAK për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë. Sipas versionit të Prokurorisë, ai dyshohej se kishte përdorur funksionin e tij në krye të AKEP-it për të favorizuar një skemë të pretenduar korruptive, përmes së cilës Monika Kryemadhi dyshohej se kishte përfituar favore.
SPAK kishte kërkuar për të një dënim prej 4 vitesh e 6 muajsh burgim, që në rast të aplikimit të gjykimit të shkurtuar do të reduktohej në 3 vite. Prokuroria kishte kërkuar gjithashtu që, për shkak të moshës dhe rrethanave të tjera, dënimi të konvertohej në shërbim prove. Gjykata, megjithatë, ka vendosur ta shpallë atë të pafajshëm.
Ema Çoku dënohet me 1 vit e 4 muaj burg, kalon në shërbim prove
Për të pandehurën tjetër, Ema Çoku, GJKKO ka dhënë një vendim fajësie për veprën penale të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Ajo është dënuar fillimisht me 2 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar masa është ulur në 1 vit e 4 muaj. Edhe në këtë rast, gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e vendosur Çokun në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare e 8-mujore.
Çoku ishte marrë fillimisht e pandehur nga SPAK për pastrim parash. Sipas hetimeve të Prokurorisë, ajo dyshohej se kishte ndihmuar në justifikimin e burimeve financiare të Fatime Kryemadhit përmes deklaratave noteriale, në të cilat pretendonte se i kishte dhënë kësaj të fundit një hua prej 240 mijë eurosh.
Prokuroria kishte evidentuar gjithashtu transaksione financiare mes tyre, si dhe pagesa të kryera nga kompania e Çokut për shpenzime hotelerie të shtetasve të huaj që kishin ardhur në Shqipëri për të mbështetur LSI-në. Në hetime ishin përfshirë edhe shpenzime për aktivitete të Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI). Sipas SPAK, këto pagesa dhe veprime financiare nuk përputheshin me mundësitë ekonomike të deklaruara nga Çoku.
Dosja u gjykua veçmas nga procesi ndaj Metës dhe Kryemadhit
Çështja ndaj Fatime Kryemadhit, Piro Xhixhos dhe Ema Çokut është shqyrtuar në një proces të veçuar nga dosja kryesore që përfshin ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Ndarja e çështjes erdhi pasi tre të pandehurit përfituan gjykimin e shkurtuar, ndërsa procesi ndaj Metës dhe Kryemadhit vijon veçmas në Gjykatën e Posaçme.
Vendimi i fundit të GJKKO-së përcakton kështu fatin gjyqësor të tre të pandehurve në këtë fraksion të dosjes, ndërsa kërkesa e SPAK për konfiskimin e vilës së Fatime Kryemadhit nuk është pranuar nga gjykata.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



