Ç’do ndodhë te Politekniku? Lëvizja Studentore Kombëtare mbledh sot delegatët në Tiranë
Lëvizja Studentore Kombëtare (LSK) zhvillon këtë të shtunë mbledhjen e parë të delegatëve të përkohshëm, në një moment kur protestat dhe organizimi studentor janë kthyer në një nga temat kryesore të debatit publik.
Sipas të dhënave të bëra publike nga kjo lëvizje, mbi 2 mijë studentë nga 34 universitete në Shqipëri janë anëtarësuar deri më tani në organizim. Ndërkohë, më shumë se 500 studentë kanë marrë pjesë në mbledhjet e zhvilluara në fakultete të ndryshme.
Deri në këtë fazë, 10 fakultete kanë zgjedhur delegatët e tyre të përkohshëm, të cilët do të marrin pjesë në takimin e parë kombëtar të lëvizjes.
Mbledhja pritet të shërbejë si një tjetër hap në konsolidimin e organizimit studentor dhe në përcaktimin e përfaqësimit të tij në nivel kombëtar.
Pas përfundimit të takimit, delegatët dhe studentë të tjerë do të dalin në një deklaratë për mediat. Komunikimi me gazetarët është njoftuar për orën 12:15, në oborrin e Universitetit Politeknik të Tiranës.
LSK e përshkruan veten si një organizim të pavarur, demokratik dhe jopartiak, të ndërtuar nga vetë studentët, fakultet pas fakulteti.
Vëmendja pritet të përqendrohet te mesazhet që do të përcillen gjatë deklaratës publike, kërkesat që do të artikulohen dhe hapat e mëtejshëm të lëvizjes, në kushtet kur një numër i konsiderueshëm studentësh janë përfshirë në këtë organizim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



