Çështja e Aeroportit të Vlorës, MABCO kallëzon në SPAK gjyqtaren Miranda Naka
Kompania MABCO ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj gjyqtares Miranda Naka, duke e akuzuar për vendimmarrje në kundërshtim me ligjin dhe për pengim të administrimit të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, Aeroportit të Vlorës.
Sipas deklaratës zyrtare të kompanisë, gjyqtarja ka bllokuar procesin e ndryshimit të administratorit të shoqërisë VIA, si dhe ka nxjerrë një vendim që, sipas MABCO, bie në kundërshtim të hapur me një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Lartë.
MABCO bën me dije se ka nisur njëkohësisht edhe procedurat për arbitrazh ndërkombëtar, duke argumentuar se institucionet shqiptare nuk kanë arritur të garantojnë mbrojtjen e investimit dhe funksionimin normal të projektit të Aeroportit të Vlorës.
Në reagimin e saj, kompania thekson se një ortak me vetëm 2% të aksioneve, Valon Ademi, ka marrë kontroll de facto mbi aktivitetin e aeroportit, duke çuar në bllokimin e punimeve për më shumë se një muaj. Sipas MABCO, kjo situatë është mundësuar nga mbështetja ose mosveprimi i institucioneve shtetërore.
Çështja është ngritur edhe në nivele të larta institucionale. Kompania konfirmon se ka informuar Presidentin e Republikës, partitë politike, grupet parlamentare dhe trupin diplomatik për shqetësimet që lidhen me sigurinë juridike, mbrojtjen e investitorëve të huaj dhe respektimin e të drejtës së pronës private në Shqipëri.
MABCO deklaron se zotëron 98% të kuotave të shoqërisë VIA dhe paralajmëron se çdo marrëveshje apo kontratë e lidhur pa miratimin e saj do të kundërshtohet me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion. Kompania kërkon zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rikthimin e administrimit të ligjshëm të projektit.
Në përfundim, MABCO thekson se objektivi i saj nuk është përshkallëzimi i konfliktit, por mbrojtja e investimit dhe rivendosja e rendit ligjor në përputhje me të drejtat që burojnë nga zotërimi i shumicës dërrmuese të aksioneve në VIA.
Deklarata:
MABCO kallëzon në SPAK gjyqtaren Miranda Naka, duke e akuzuar se ka bllokuar ndryshimin e administratoit të VIA-s dhe ka nxjerrë një vendim që sipas kompanisë, bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë.
Kompania njofton nisjen e procedurave për arbitrazh ndërkombëtar.
Institucionet shqiptare kanë dështuar të mbrojnë investimin dhe të zhbllokojnë kantierin e Aeroportit të Vlorës.
Ortaku me 2% të kuotave, Valon Ademi ka marrë kontroll de facto të aeroportit, duke bllokuar aktivitetin e projektit për më shumë se një muaj me mbështetje ose mosveprim të institucioneve shtetërore.
Presidenti i Republikës, partitë politike, grupet parlamentar dhe trupi diplomatic janë informuar me letër, ku ngrihen shqetësime për sigurinë juridike, mbrojtjen e investitorëve të huaj dhe respektimin e pronës private në Shqipëri.
MABCO thekson se zotëron 98% të kuotave të VIA-s dhe paralajmëron se çdo kontratë apo marrëveshje e lidhur pa miratimin e saj do të përballet me të githa mjetet ligjore duke kërkuar zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës së Lartë.
MABCO kërkon thjesht të drejtës që i takon me ligj. Kompania thekson se synimi i saj nuk është konflikti por mbrojtja e investimit të saj dhe rikthimi i administrimit ligjor të Aeroportit të Vlorës, në përputhje me të drejtat që rrjedhin nga zotërimi i 985 të kuotave të VIA-s.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



