Çfarë di Ervin Demo për revoltën që nuk po e tregon?
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar sërish pas përplasjeve të dhunshme gjatë protestës në Tiranë, duke hedhur akuza ndaj aktorëve politikë që, sipas tij, po përpiqen të përfitojnë nga pakënaqësitë e studentëve për të nxitur kaos.
Në deklaratën e tij, Demo pretendon se ngjarjet e orëve të fundit nuk janë thjesht shprehje e zemërimit të të rinjve, por pjesë e një skenari të organizuar. Ai përmend edhe persona të huaj, të cilët, sipas tij, kanë ndikuar përmes rrjeteve sociale që prej muajit qershor. Ministri nuk jep në reagim emra apo prova konkrete për këto pretendime.
Duke iu drejtuar studentëve, veçanërisht atyre të mjekësisë, Demo thotë se qeveria mbetet e hapur për dialog dhe se kërkesat e tyre duhet të trajtohen përmes bisedimeve, jo përmes përplasjeve.
“Unë, Kryeministri, qeveria jonë, Partia Socialiste, kemi qenë dhe jemi gjithnjë me ju dhe për ju! Edhe kur ju nuk jeni me ne, nuk votoni për ne apo mendoni ndryshe nga ne, ne jemi këtu për ju!”, shprehet ai.
Ministri riktheu në vëmendje edhe Paktin për Universitetin, duke e cilësuar atë një proces që mund të plotësohet me kërkesa të reja. Sipas tij, studentët që kërkojnë ndryshime duhet të zgjedhin rrugën e dialogut dhe jo atë të dhunës.
Paralajmërim për personat që dëmtuan pronën
Një pjesë të rëndësishme të reagimit, Demo ia kushtoi personave që i cilësoi si autorë të zjarrvënieve dhe dëmtimeve të pronës publike e private. Ai paralajmëroi se veprimet e tyre do të ndiqen ligjërisht dhe se përgjegjësia individuale nuk mund të shmanget duke u fshehur pas turmës së protestuesve.
“Zjarrvënësve dhe shkatërruesve të sotëm të pronës publike e private, u them tërhiquni sa nuk është tepër vonë, sepse mes entuziazmit të shkatërrimit në një turmë me maska dhe përgjegjësisë individuale para ligjit, kjo e dyta mund të vonojë po nuk do të harrojë”, deklaroi ministri.
Demo u shprehu mirënjohje punonjësve të Policisë së Shtetit, duke vlerësuar, sipas tij, profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e tyre gjatë përballjes me situatën. Në të njëjtën kohë, ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, është pasqyruar veprimtaria e policisë në media.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Tiranës, ministri kërkoi durim dhe siguroi se qeveria nuk do të lejojë që situata të përdoret për ta kthyer vendin pas. Ai i cilësoi zjarrvëniet pranë institucioneve si një përpjekje për të krijuar pasiguri.
Në fund të reagimit, Demo la të kuptohet se autoritetet disponojnë informacione të tjera për ngjarjet, pa bërë publike detaje të mëtejshme.
“Dimë shumë më tepër se sa mund të ndajmë me ju sonte, por rëndësi ka që ju ta dini se kjo orvatje e dhunshme s’ka asnjë shans ta kthejë Shqipërinë mbrapa”, përfundoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



