E mërkurë, 25 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Çfarë do ndodhë? Spiropali del me paralajmërimin e fortë: Gjendja do shkojë më keq
Lajme

Çfarë do ndodhë? Spiropali del me paralajmërimin e fortë: Gjendja do shkojë më keq

Deputetja Elisa Spiropali ka vijuar kritikat ndaj drejtimit të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, një ditë pas përjashtimit të saj nga grupi parlamentar dhe strukturat drejtuese të forcës politike ku ka bërë karrierën. Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, ish-kryetarja e Kuvendit ka paralajmëruar se zhvillimet e fundit brenda PS-së mund të jenë vetëm fillimi i një vale të re largimesh dhe përplasjesh politike.

Spiropali e cilësoi përjashtimin e saj si një ngjarje pa precedent për një grua në historinë 35-vjeçare të Partisë Socialiste, duke deklaruar se nuk e sheh këtë vendim si një arsye për t’u tërhequr, por si një lloj dekorate për qëndrimet që ka mbajtur.

“Unë jam e para grua në 35 vite që përjashtohem nga PS dhe po e marr si dekoratë këtë”, u shpreh ajo, duke kujtuar gjithashtu se ka qenë gruaja më e re e zgjedhur në krye të Kuvendit.

Gjatë fjalës së saj, Spiropali përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë ndaj mënyrës se si po funksionon aktualisht Partia Socialiste, duke vënë në pikëpyetje përqendrimin e vendimmarrjes në duart e një individi. Sipas saj, një parti politike nuk mund të identifikohet me një person të vetëm, pasi duhet të përfaqësojë një shumësi zërash, qëndrimesh dhe bindjesh.

Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e debatit dhe të vendimmarrjes kolektive brenda strukturave socialiste, duke iu referuar edhe zhvillimeve në Asamblenë e Partisë Socialiste.

“Deputetët e PS-së e kanë të vështirë të dalin para qytetarëve. Në Asamblenë e PS-së nuk kishte votim, një njeri merr të gjitha vendimet. Partia nuk është një njeri, është shumësia e këtyre njerëzve”, deklaroi Spiropali.

Ish-ministrja e Jashtme ngriti shqetësimin se kjo mënyrë drejtimi po krijon një distancë gjithnjë e më të madhe mes përfaqësuesve politikë dhe qytetarëve. Ajo përmendi në mënyrë të veçantë protestat e të rinjve, duke theksuar se brezi i ri nuk duhet trajtuar si kundërshtar apo si armik, por si një faktor vendimtar për të ardhmen e vendit.

Spiropali u ndal edhe te lëvizja e protestuesve të njohur si “Flamingot”, duke e lidhur daljen e tyre në rrugë me përqendrimin e pushtetit dhe mungesën e hapësirave për liri e përfaqësim. Sipas saj, pakënaqësia nuk lidhet thjesht me kundërshtimin e një individi, por me mënyrën se si është ndërtuar dhe ushtrohet pushteti politik.

“Shqipëria është e të gjithëve, jo vetëm e atyre që kanë pushtetin politik. Problematika e centralizimit të pushtetit në duart e një njeriu ishte ajo që nxori në rrugë ata që u quajtën Flamingo. Ishte nevoja e brendshme për të mbrojtur lirinë. Mund t’i kesh të gjitha, por historia ka treguar se pushteti nuk mbahet nga muret, por nga besimi”, u shpreh ajo.

Spiropali paralajmëroi gjithashtu se situata politike mund të përkeqësohet nëse Partia Socialiste nuk ndërmerr ndryshime të brendshme. Ajo kërkoi reformimin e forcës politike, më shumë demokraci në funksionimin e partive, në Kuvend dhe në institucionet shtetërore, si dhe një model tjetër të vendimmarrjes.

“Do të kemi dhe do të shohim edhe shumë të tjera të tilla. Nuk ka asgjë për t’u habitur këtu, kur ata që duhet të ikin rrinë dhe ata që duhet të rrinë ikin. Shqipëria ka hyrë në një fazë delikate të zhvillimit të saj”, deklaroi deputetja.

Duke shpjeguar arsyet e qëndrimeve të saj, ajo kritikoi edhe sistemin aktual elektoral, të cilin e konsideroi përgjegjës për krijimin e një situate të stanjacionit politik dhe pengimin e qarkullimit të elitave. Sipas Spiropalit, mungesa e hapësirave për ndryshim po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e demokracisë dhe në raportin mes politikës dhe shoqërisë.

Ajo e mbylli apelin e saj me nevojën për një reformim të thellë, duke paralajmëruar se pa ndryshime reale, pakënaqësia brenda partisë dhe në shoqëri rrezikon të thellohet.

“Shqipëria është e të gjithëve. Më keq do të shkojë nëse nuk kuptojmë se duhet të reformohemi. Duhet të kuptojmë se rinia është themeli i së ardhmes”, përfundoi Spiropali.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.