Çfarë duhet të dini? Greqia ndryshon rregullat për emigracionin
Qeveria greke po përgatit një projektligj të ri që sjell ndryshime të thella në sistemin e migracionit të ligjshëm, me fokus uljen e burokracisë, zgjidhjen e vonesave kronike në lejet e qëndrimit dhe përmbushjen e nevojave të tregut të punës. Projektligji i Ministrisë së Migracionit dhe Azilit pritet të depozitohet së shpejti në komisionet parlamentare përkatëse, në një moment kur migracioni po rikthehet fuqishëm në debatin politik kombëtar dhe evropian.
Sipas autoriteteve greke, synimi kryesor është të vendoset një kufi i qartë mes migracionit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm, duke krijuar një sistem më funksional dhe të drejtë për emigrantët që jetojnë dhe punojnë ligjërisht në vend.
Ministri i Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, deklaroi për agjencinë shtetërore APE-MPE se projektligji synon t’i japë fund bllokimeve shumëvjeçare që kanë dëmtuar si punëtorët ashtu edhe bizneset. Ai theksoi se procedurat aktuale kanë krijuar pasiguri të vazhdueshme për mijëra emigrantë, për shkak të vonesave të gjata në rinovimin e dokumenteve.
Aktualisht në Greqi jetojnë rreth 793 mijë emigrantë me status të rregullt, ndërsa afro 293 mijë aplikime për leje qëndrimi mbeten ende të pashqyrtuara. Në shumë raste, lejet janë lëshuar pasi afati i tyre kishte skaduar, duke krijuar probleme serioze në punësim dhe integrim shoqëror. Me hyrjen në fuqi të rregullimeve të reja, autoritetet vlerësojnë se rreth 90 mijë leje do të zhbllokohen menjëherë, ndërsa një numër i ngjashëm pritet të rregullohet brenda dy viteve.
Lehtësime konkrete për emigrantët e ligjshëm
Projektligji parashikon rinovim automatik për disa kategori lejesh qëndrimi, veçanërisht në rastet kur emigranti vijon të punojë te i njëjti punëdhënës. Kjo masë synon të shmangë dorëzimin e vazhdueshëm të dokumenteve të njëjta, pa arsye thelbësore.
Një tjetër risi është zgjatja minimale e vlefshmërisë së çdo lejeje të re në dy vite, në mënyrë që vonesat administrative të mos çojnë në humbje formale të statusit të ligjshëm.
Parashikim i veçantë bëhet edhe për emigrantët që kanë jetuar ligjërisht në Greqi për pesë vite ose më shumë dhe aplikimi i tyre ishte refuzuar më parë për arsye thjesht procedurale. Këta persona do të kenë të drejtën të riaplikojnë dhe të rregullojnë statusin e tyre, duke u integruar plotësisht në shoqërinë greke.
Lehtësime parashikohen edhe për emigrantët mbi moshën 65 vjeç, kryesisht të brezit të parë, të cilët kanë jetuar dhe punuar ligjërisht në Greqi për të paktën 20 vite. Ata do të mund të qëndrojnë pa detyrim për punësim, me kusht që të disponojnë sigurim shëndetësor privat dhe pension, pa ngarkuar sistemin publik të sigurimeve.
Procedura më të shpejta për punëtorët nga vendet e treta
Projektligji ndërhyn edhe në procesin e thirrjes së punëtorëve nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, duke synuar përshpejtimin e procedurave dhe mbulimin e shpejtë të vendeve të lira të punës. Kompanitë e punësimit të përkohshëm do të mund të kryejnë thirrje në emër të bizneseve me nevoja urgjente për staf.
Për projekte të mëdha, parashikohet thirrja e menjëhershme e deri në 500 punëtorëve, ndërsa procedurat konsullore thjeshtohen ndjeshëm, duke ulur kohën e pritjes për dokumentacionin.
Një risi tjetër e rëndësishme është mundësia që punëtorët e ardhur përmes thirrjes zyrtare të ndryshojnë punëdhënësin pa humbur statusin e qëndrimit të ligjshëm, çka rrit lëvizshmërinë në tregun e punës dhe kufizon abuzimet.
Në të njëjtën kohë, Greqia po forcon marrëveshjet dypalëshe me vende si Filipinet, Armenia dhe Egjipti, veçanërisht në sektorë si bujqësia, duke e lidhur këtë bashkëpunim me përpjekjet kundër migracionit të paligjshëm.
Qasje e re ndaj migracionit të ligjshëm
Sipas ministrit Plevris, kuadri i ri synon të ndërtojë një sistem më të shpejtë dhe efikas për migracionin e ligjshëm, që mbështet ekonominë greke dhe garanton siguri juridike për emigrantët, pa toleruar migracionin e paligjshëm.
“Ne përshpejtojmë dhe thjeshtojmë procedurat për lejet e qëndrimit dhe punës. Greqia mbetet e rreptë ndaj migracionit të paligjshëm, por po krijon një rrugë të qartë dhe funksionale për ata që duan të punojnë ligjërisht dhe të kontribuojnë në sektorë kyç si bujqësia, ndërtimi dhe turizmi”, theksoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



