Çfarë fshihet pas flakëve në kodrën e Gjirit të Llamanit?!
Dyshime të forta për projektin luksoz “Amantes” prej 101 mijë m²
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu pasditen e 13 korrikut një nga zonat më të bukura të bregdetit Jon, në Himarë, duke shkrumbuar kodrën në anën veriore të Llamanit. Flakët u përhapën me shpejtësi në një terren të mbuluar me shkurre dhe pemë të ulëta, ndërsa situata u bë kritike për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat zjarrfikëse të Himarës, të mbështetura edhe nga ekipe të qyteteve fqinje, me synimin për të izoluar flakët dhe për të shmangur rrezikun për jetën dhe pronat. Në zonën poshtë kodrës, pranë Gjirit të Llamanit, operojnë disa biznese turistike, ndërsa në anën tjetër, drejt rrugës dhe qytetit, ndodhen hotele dhe banesa private, çka e bëri ndërhyrjen edhe më të ndërlikuar.
Terreni i vështirë, shkëmbor dhe me pjerrësi të theksuar e komplikoi më tej operacionin, duke e bërë kontrollin e flakëve një sfidë reale për strukturat e emergjencës. Prioritet mbeti shmangia e viktimave dhe minimizimi i dëmeve materiale.

Në foto: Kodra në Llaman e mbuluar nga tymi, pasditen e datës 13 korrik 2026
Pas zjarrit, një resort luksoz?
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta, pasi dokumente të siguruara nga VoxNews hedhin dritë mbi një projekt të madh ndërtimi pikërisht në zonën e prekur nga flakët. Sipas këtyre të dhënave, në kodrën ku ra zjarri pritet të ndërtohet një resort luksoz, i lidhur me biznesmenin Arben Muçobega.
Në vitin 2025, qeveria ka miratuar një leje zhvillimi për një sipërfaqe prej 101.200 metrash katrorë, që përkon me territorin ku u regjistrua zjarri në korrik të vitit 2026. Zona karakterizohet nga terren i pjerrët dhe shkëmbor, i konsideruar më parë si i pashfrytëzueshëm dhe pa pronësi të qartë për shkak të vështirësisë së zhvillimit.
Burime bëjnë me dije se dokumentacioni për përfitimin e kësaj prone është përgatitur me ritme të shpejta, ndërsa projekti ka kaluar disa faza procedurale dhe aktualisht pritet leja përfundimtare e ndërtimit.


Në foto: Projekti ‘Amantes’ që gllabëron të gjithë kodrën shkëmbore ngjitur me Gjirin e Llamanit
Projekti “Amantes” dhe përmasat e zhvillimit
Sipas dokumenteve zyrtare, projekti “Amantes” parashikon ndërtimin e një resorti multifunksional me 5 yje në Bashkinë Himarë. Subjekte ndërtuese janë shoqëritë “Capital B” dhe “Bega 07”, kjo e fundit në pronësi të Arben Muçobegës.
Në përshkrimin e projektit thuhet se resorti do të ndërtohet në kodrën pranë plazhit të Llamanit, duke shfrytëzuar topografinë e pjerrët për të krijuar një kompleks turistik me pamje panoramike drejt detit Jon. Aktualisht, zona përshkruhet si e pashfrytëzuar, përveç disa ndërtimeve të ulëta 2-3 kate pranë vijës bregdetare që shërbejnë për turizmin sezonal.


Në foto: Projekti parasikon 50 vila, hotel lukzos dhe restorante në të gjithë kodrën
50 vila, hotel luksoz dhe zona komerciale
Projekti përfshin ndërtimin e një hoteli luksoz, vilave, apartamenteve dhe një zone të dedikuar për shërbime, ku përfshihen restorante, ambiente relaksi dhe hapësira komunitare.
Sipas planit zhvillimor, do të ndërtohen rreth 50 vila, të organizuara në grupime prej 2 ose 3 njësish. Çdo grupim përfshin vila të mëdha dhe të vogla, të projektuara sipas konceptit “stacking stone”, me qëllim minimizimin e ndërhyrjes në terren dhe ruajtjen e formës natyrore të kodrës.
Dyshimet dhe pyetjet pa përgjigje
Zjarri i 13 korrikut ka rikthyer një debat të ndjeshëm: a mund të jetë i qëllimshëm dhe a po përdoren ngjarje të tilla për t’i hapur rrugë projekteve të mëdha ndërtimore?
Pyetjet mbeten të hapura. A do të ketë një raport zyrtar nga shërbimet zjarrfikëse për shkaqet e zjarrit? A do të përdoret ky raport në procedurat për miratimin e projektit? Dhe mbi të gjitha, a ka një lidhje mes flakëve që përfshinë kodrën dhe zhvillimit të planifikuar në të njëjtin territor?
Në mungesë të përgjigjeve konkrete, dyshimet vazhdojnë të ushqehen nga precedentët e mëparshëm, ku në zona turistike të prekura nga zjarret apo ndërhyrjet, më pas kanë lindur projekte të mëdha ndërtimore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



