Çfarë ndodhi në Orange Club? Subjekti hedh poshtë versionin për dhunimin e shefit të Krimeve
Një episod i tensionuar në ambientet e Orange Club në Sarandë ka sjellë versione të kundërta mbi ndërhyrjen e policisë dhe rolin e shefit të Krimeve, Mateo Bakalli.
Sipas versionit të përfaqësuesve të subjektit, gjithçka ka nisur pas një konflikti të shkaktuar nga tre persona në gjendje të dehur, të cilët dyshohet se kishin ngacmuar të fejuarën e një klienti të lokalit.
Punonjësit e sigurisë së Orange Club kanë ndërhyrë dhe i kanë nxjerrë personat jashtë ambienteve. Në zonë ndodheshin edhe efektivë policie, të cilët kanë ndërhyrë për qetësimin e situatës. Sipas subjektit, deri në atë moment nuk kishte pasur asnjë konflikt mes stafit të sigurisë dhe punonjësve të Policisë.
Situata, sipas pretendimeve të përfaqësuesve të Orange Club, ka ndryshuar pas mbërritjes së shefit të Krimeve në Sarandë, Mateo Bakalli, i cili ndodhej i veshur civil.
Ata pretendojnë se Bakalli ka përdorur fjalor fyes ndaj punonjësve të sigurisë dhe ka urdhëruar shoqërimin e tyre. Në pamjet e episodit shfaqen gjithashtu punonjës policie të armatosur, me pistoletat e shërbimit në duar, brenda ambienteve të klubit.
Pamjet dhe mënyra e ndërhyrjes kanë ngritur pikëpyetje mbi proporcionalitetin e reagimit policor, veçanërisht nëse situata ishte vendosur më parë nën kontroll.
Ngjarja mori një tjetër dimension pasi në media u raportua se shefi i Krimeve, Mateo Bakalli, ishte dhunuar gjatë incidentit.
Ky version kundërshtohet kategorikisht nga përfaqësuesit e Orange Club.
Sipas tyre, subjekti disponon videon e plotë të ngjarjes, e cila, siç pretendojnë ata, tregon se Bakalli nuk është goditur dhe as është prekur fizikisht nga punonjësit e sigurisë apo persona të tjerë në ambientet e klubit.
Në këto kushte, mbeten për t’u sqaruar disa elemente thelbësore: nëse ka pasur realisht dhunë ndaj shefit të Krimeve, përse është urdhëruar shoqërimi i punonjësve të sigurisë dhe mbi çfarë baze është kryer ndërhyrja me armët e shërbimit të ekspozuara në një ambient publik.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, përcaktuese mbeten pamjet e plota të kamerave të sigurisë, procesverbalet e policisë dhe versioni zyrtar i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Në fakt është dhe Club Orange që paguan mijëra euro për të mbajtur diskon hapur, jashtë orareve.
Deri në një sqarim zyrtar dhe verifikim të plotë të materialeve filmike, pretendimet e palëve duhet të trajtohen si versione të pakonfirmuara të së njëjtës ngjarje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



