E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse nuk publikohen pamjet e plota? Pyetje që kërkojnë përgjigje për ngjarjen në Sarandë
Lajme

Pse nuk publikohen pamjet e plota? Pyetje që kërkojnë përgjigje për ngjarjen në Sarandë

E frikshme dhe kriminale se si disa portale të paguara, sulmuan shefin e Krimeve, Mateo Bakalli, në Sarandë, me qëllim deformimin e ngjarjes dhe krijimin e një perceptimi të rremë në opinionin publik

Për ta kuptuar njëherë e mirë, po japim faktet se si po manipulohet e vërteta nga klubi ku ndodhi ngjarja.

1- Shefi i Krimeve duket në pamje që vjen nga jashtë lokalit, teksa lëviz në rrugë me makinë. Në një moment ndalon, zbret nga mjeti dhe shkon për të shuar konfliktin që konstaton. Oficeri i Policisë kryen detyrën. Në zbatim të ligjit, ai duhet të ndërhyjë dhe ndërhyri. Çfarë duhet të bënte një punonjës policie kur konstaton një konflikt? Të vazhdonte rrugën dhe të bënte sikur nuk kishte parë asgjë? Jo. Detyra e tij është të ndërhyjë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë.

Këto pamje janë publikuar në videot që ka shpërndarë vetë klubi nga kamerat e sigurisë. Pra, nuk bëhet fjalë për një version të sajuar nga Policia e Shtetit. Është vetë materiali filmik i publikuar nga klubi që tregon se oficeri ka ardhur nga jashtë dhe ka ndërhyrë pasi ka konstatuar një konflikt.

2- Klubi, kudo në portalet e financuara, nxori lajmin e rremë se oficeri ka ngacmuar një vajzë dhe e kanë nxjerrë jashtë. Ku janë pamjet? Pse nuk i publikojnë, pasi klubi ka pamje si brenda, ashtu edhe jashtë? Të publikojnë pamjet brenda të oficerit. Pse nuk i publikojnë? Sepse iu del e pavërtetë!

3- Pse klubi nuk ia jep serverin e pamjeve të plota të kamerave të sigurisë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë? Çfarë fshehin? Nëse mendojnë se janë të pastër, atëherë pse nuk i japin pamjet? Pse e pengojnë zbardhjen e ngjarjes? Nëse materiali filmik i plotë ekziston, ai është prova më e rëndësishme për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.

Le t’i marrin hetuesit të gjitha kamerat, të gjitha këndet dhe të gjithë serverin. Le të shikohet çdo sekondë.
Nëse Policia ka gabuar, le të dalë në pah. Nëse klubi ka gabuar, le të dalë në pah. Nëse dikush ka dhunuar një punonjës policie, le të mbajë përgjegjësi.
Por e vërteta nuk mund të zbardhet me video të prera.

4-Duket në video dhe dëgjohet se shtetasi Spiro Iljadhi mundohet të afrohet me shefin e krimeve duke i thënë që “hajde të të sqaroj më këtej të zgjidhim muhabet” nderkohë që shefi krimeve bërtet “që dua personat dhunues t’i shoqëroj, por pronari bashkë me bodigardët e tjerë nuk i lejon t’i shoqerojnë.

5- Pse klubi shpërndan vetëm disa pasazhe pamjesh për të nxjerrë keq vetëm Policinë? Pse nuk i publikojnë pamjet e plota nga fillimi deri në fund, pa asnjë ndërprerje, të të gjitha kamerave të sigurisë?
Kjo është transparenca e vërtetë. Jo të marrësh 10, 20 apo 30 sekonda nga një ngjarje dhe t’i paraqesësh ato sikur përbëjnë të gjithë historinë.

Një ngjarje nuk fillon aty ku nis videoja që dikush zgjedh të publikojë dhe nuk përfundon aty ku mbaron fragmenti që i intereson atij. Duhet parë çfarë ndodhi para konfliktit, si nisi konflikti, si ndërhyri oficeri, si u përshkallëzua situata dhe si ndërhyri më pas Policia.
Vetëm kështu mund të kuptohet e vërteta.

6-Dinamika e vërtetë e ngjarjes. Oficeri i Policisë Mateo Bakalli, pasi ka parë konfliktin jashtë lokalit, ka ndërhyrë për të shuar konfliktin, duke u prezantuar si Policia dhe si shefi i Krimeve. Aty, një nga bodyguardët e ka kapur nga fyti dhe e kanë qëlluar me grusht.
Më pas, të gjithë bodyguardët e godasin pa pushim, teksa ai ka rënë në tokë. Më pas, aty vjen Policia në ndihmë dhe ndërhyn për të neutralizuar me forcë autorët e dhunës. Këta fakte janë në dosjen hetimore të prokurorisë.

Dhe aty është edhe momenti ku Policia përdor forcë.
Patjetër që do të përdorë forcën, pasi po dhunohej një oficer Policie. Çfarë duhet të bënte Policia?
Të shikonte kolegun e saj duke u dhunuar dhe të mos ndërhynte? Të kërkonte leje përpara se të ndalonte personat që po ushtronin dhunë? Jo. Detyra e Policisë është të ndërhyjë dhe të ndalojë dhunën.

Është publikuar edhe pamje ku një oficer mban armën në dorë. Patjetër që do ta mbajë armën, se për atë punë e ka.
Për të ndaluar ata që shkelin ligjin. Nuk do të përdorin pistoleta me ujë. Arma është mjet pune për një punonjës policie.

Dhe këtu duhet bërë një dallim shumë i rëndësishëm, mbajtja e armës në dorë në një situatë të tensionuar nuk do të thotë automatikisht përdorim i armës.

Madje, nga pamjet e publikuara, polici nuk kreu asnjë veprim të kundërligjshëm dhe as nuk qëlloi me armë.
Pra, pse po tentohet të krijohet përshtypja sikur fakti që një polic nxori armën është në vetvete një krim?
Arma është aty pikërisht për situatat kur jeta dhe siguria e policëve apo qytetarëve mund të jenë në rrezik.

Imagjinoni pak të ndodhte në SHBA apo në vende të BE-së që të dhunonin një punonjës Policie. Do të qëndronte policia duarkryq? Do të shikonte kolegun e saj duke u goditur? Sigurisht që jo. Madje do e neutralizonin duke qëlluar me armë. Shikoni çfarë ndodh jashtë po të prekësh policin. Këtu, për një neutralizim me forcë të personave që po ushtronin dhunë ndaj një oficeri, u bë nami.

Policia nuk mund të jetë gjithmonë fajtore Është shumë e lehtë të bësh një video, të marrësh disa sekonda nga një ngjarje dhe ta kthesh Policinë në “fajtore”.

Por puna e policit nuk është të duket bukur në kamera.
Puna e policit është të ndërhyjë kur ka konflikt, të ndalojë dhunën, të mbrojë qytetarët dhe të mbrojë edhe kolegun e tij. Policia nuk mund të dënohet në opinion përpara se të hetohet ngjarja.

Nëse një efektiv ka shkelur ligjin, le të hetohet dhe të përgjigjet. Por nëse një efektiv ka qenë duke kryer detyrën dhe është sulmuar fizikisht, atëherë ai duhet të ketë mbështetjen e Policisë, të institucioneve dhe të opinionit publik.

Sepse nesër mund të jetë çdo efektiv tjetër. Dhe nëse krijojmë një realitet ku polici duhet të mendohet dy herë përpara se të ndërhyjë nga frika se mos sulmohet më pas në portale, atëherë kush do të na mbrojë?

Policia e Shtetit duhet të kontrollohet kur gabon, por duhet edhe të mbrohet kur sulmohet padrejtësisht.
Hetimi duhet të jetë i plotë, transparent dhe pa asnjë ndikim. Të publikohen pamjet e plota, të merren serverët,
të dëgjohen dëshmitarët, të verifikohen të gjitha pretendimet. Dhe pastaj të flasin faktet.

Nuk zbardhet e vërteta me portale, video të prera dhe fushata denigrimi.

Nëse dikush mendon se Policia ka gabuar, le ta provojë me prova. Por nuk mund të sulmohet një punonjës policie vetëm sepse ka bërë detyrën e tij dhe ka ndërhyrë për të shuar një konflikt.

Në këtë rast, mbështetja për Policinë e Shtetit nuk do të thotë të mbyllësh sytë ndaj ligjit. Do të thotë të kërkosh të vërtetën e plotë dhe të mos lejosh që policët që dalin çdo ditë në rrugë për të garantuar rendin dhe sigurinë të kthehen në objekt të fushatave të denigrimit mbi bazën e disa pamjeve të shkëputura.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.