Çfarë ndodhi? Trump tërheq ftesën e Bordit të Paqes për Kandanë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur të tërheqë ftesën drejtuar Kanadasë për t’u bërë pjesë e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes”.
Përmes një postimi në rrjetin Truth Social, Trump i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit kanadez, Mark Carney, duke njoftuar se ftesa për anëtarësimin e Kanadasë në këtë bord nuk është më në fuqi. Në reagimin e tij, presidenti amerikan nuk ka dhënë shpjegime konkrete për arsyet e këtij vendimi.
Ky zhvillim vjen vetëm disa orë pas deklaratave publike të kryeministrit Carney, i cili reagoi ndaj kritikave të Trump duke theksuar se Kanadaja nuk është ndërtuar apo mbështetur mbi ekzistencën e Shteteve të Bashkuara, duke kundërshtuar hapur pretendimet për varësi nga Uashingtoni.
Më herët, autoritetet kanadeze kishin sinjalizuar gatishmëri për t’iu bashkuar Bordit të Paqes, por me kushtin që të mos paguhej tarifa e anëtarësimit. Sipas administratës amerikane, anëtarët e përhershëm të këtij mekanizmi të ri duhet të kontribuojnë financiarisht me një pagesë prej 1 miliard dollarësh, një kërkesë që Otava ka refuzuar.
Zyra e kryeministrit Carney nuk ka reaguar menjëherë pas postimit të Trump, ndonëse vetëm pak ditë më parë ai kishte deklaruar publikisht se ishte i gatshëm ta pranonte ftesën e presidentit amerikan.
Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka shprehur rezervat e liderëve evropianë lidhur me kompetencat dhe funksionin real të Bordit të Paqes. Megjithatë, ai theksoi se Bashkimi Evropian mbetet i hapur për bashkëpunim me këtë strukturë në çështje specifike, veçanërisht ato që lidhen me situatën në Gaza.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



