E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Çfarë po “zihet”? Rama: Protestuesit i pres deri më 12 qershor!
Lajme

Çfarë po “zihet”? Rama: Protestuesit i pres deri më 12 qershor!

Në kuadër të turit të takimeve për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Fier, qytet që ai e cilësoi si “kryeqytetin e socialistëve”. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë ndaloi gjerësisht te situata politike e krijuar nga protestat që prej dhjetë ditësh po zhvillohen para Kryeministrisë në Tiranë kundër projekteve të parashikuara në zonën e Zvërnecit.

Rama u shpreh se një pjesë e qytetarëve që po marrin pjesë në protesta kanë rënë pre e asaj që ai e cilësoi si narrativa të rreme dhe manipulim politik nga forcat e reja politike.

“Nuk them se njerëzit që dalin në protestë janë agjentë apo të futur nga agjentura. Por përveç një pjese që janë këta politikanët e rinj të partive të reja që u vjetruan shpejt, është edhe një pjesë njerëzish që kanë rënë pre e kësaj. E menduar kështu është shumë naive”, deklaroi Rama.

Kryeministri kundërshtoi gjithashtu kërkesat për dorëheqjen e tij, duke argumentuar se protestat e nisura për çështje mjedisore nuk mund të përdoren si bazë për të kërkuar largimin e një qeverie të zgjedhur me votë.

“Nëse dikush dhe disa dalin në protestë e kërkojnë që të jem i butë, ka një minimum etik që të përcaktohet se për çfarë është shqetësimi: Sazani, flamingot, Zvërneci. Nëse je në protestë që të mos largohen flamingot, nuk mund të kërkosh të largohet qeveria. Duhet të kërkosh hesap për flamingot. T’i kërkosh hesap brutal një shumice qeverisëse të zgjedhur, dhe ke guxim shumë të madh ta bësh këtë, tregon se nuk ke turp.

Nëse je në protestë që të mos largohen flamingot, nuk mund të kërkosh të largohet qeveria. T’i kërkosh hesap brutal një qeverie, një shumice qeverisëse, që e ka bërë Shqipërinë një vend që është vendosur në mbrojtje të pasurive natyrore. Lumi i fundit i egër i Evropës është shpallur park kombëtar, Vjosa, ku përfshihet edhe delta”, u shpreh ai.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së Ramës lidhej me afatin e 12 qershorit, datë në të cilën Partia Socialiste do të organizojë festimet për 35-vjetorin e krijimit të saj. Kryeministri tha se deri atëherë duhet të përfundojë debati publik rreth investimeve në Zvërnec dhe të bëhet ndarja mes ambientalizmit real dhe, sipas tij, dezinformimit.

“Drejtimi i një vendi nuk ka lidhje me këtë. Partia Socialiste s’e duhet t’ia kujtoj të gjithëve, Partia Socialiste është zgjedhur për të udhëhequr, jo për t’i shkuar nga mbrapa të tjerëve, dhe deri në 12 qershor që kemi festën e madhe që unë besoj do vini dhe ju në Tiranë, është mirë që të mbyllet kjo bisedë dhe të ndahet ambientalizmi nga llapaqorrizmi dhe nga qorrollapizmi.

Duhet të ndahet! Kush e do bulevardin për ta qorrollapuar të shkojë ta qorrollapojë. Kush është në bulevard akoma apo kush simpatizon me bulevardin për Sazanin, a do shitet a s’do shitet, a është shitur a s’është shitur, për Zvërnecin, a do betonohet, a s’do betonohet, a do ndërtohet, si do ndërtohet, a do mbrohet, a s’do mbrohet, për zhvillimin e Shqipërisë dhe për mënyrën se si ne do të ndërtojmë në ato pika ku janë të ndjeshme”, deklaroi Rama.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur protestat kundër projektit në Zvërnec po vijojnë prej dhjetë ditësh radhazi dhe po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje publike dhe politike.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se çfarë nënkuptoi Rama me thirrjen për mbylljen e debatit deri më 12 qershor dhe nëse gjatë ditëve në vijim do të ketë zhvillime të reja lidhur me projektin që ka shkaktuar reagime të forta nga aktivistët dhe protestuesit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.