Çfarë pritet tashmë? Kosova nis zyrtarisht sot fushatën zgjedhore
Subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit e nisin zyrtarisht sot, më 17 dhjetor, fushatën elektorale. Megjithëse hapja formale e fushatës është e parashikuar për të mërkurën, partitë politike kanë nisur prej ditësh aktivitetet mobilizuese, tubimet me simpatizantë dhe prezantimin e premtimeve elektorale, që në fazat e para shoqërohen me shifra të larta financiare.
Në tubimet e para dhe gjatë prezantimit të programeve fillestare, subjektet politike kanë premtuar rritje pagash dhe shpërndarje të qindra milionë eurove për kategori të ndryshme shoqërore.
Lëvizja Vetëvendosje, subjekti që doli i pari në zgjedhjet e 9 shkurtit, mbajti tubimin e saj të parë të madh të hënën në Prizren, ku prezantoi kandidatët për deputetë. Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i LVV-së, Albin Kurti, deklaroi se prioritet edhe për mandatin e ardhshëm katërvjeçar do të mbetet siguria. Të martën, LVV-ja, së bashku me partnerët, zhvilloi një tjetër tubim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Si parti në pushtet deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar 200 milionë euro vetëm për Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0. Sipas këtij premtimi, pakoja do të përfshijë mbështetje të njëhershme për pensionistët, fëmijët përfitues të shtesave, studentët dhe punëtorët e sektorit privat, si dhe rikthimin e skemës për subvencionimin e kursimit të energjisë, nga e cila përfitojnë mbi 200 mijë familje. Ky vendim, sipas LVV-së, do të jetë ndër pesë të parët që Albin Kurti do të marrë në rast të një mandati të ri. Po ashtu, është premtuar miratimi i buxhetit prej 4 miliardë eurosh për vitin 2026, procedimi i ligjit për çmime tavan, heqja e kufizimeve për punësimin e veteranëve të UÇK-së dhe miratimi i pagës së 13-të për të gjithë shërbyesit publikë.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka intensifikuar aktivitetet. Të martën në mbrëmje, LDK-ja prezantoi 110 kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa kandidati për kryeministër, kryetari i partisë Lumir Abdixhiku, shpalosi programin politik. Një ditë më herët, partia kishte zhvilluar aktivitete mobilizuese në kryeqytet. Abdixhiku ka premtuar rritje të pagave për mësimdhënësit në 1.000 euro në muaj, ndërsa për policët, zjarrfikësit dhe ushtarët në 900 euro, duke theksuar se koeficienti i pagave do të jetë 150 euro.
Ndërkohë, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar se fushata e kësaj partie do të nisë zyrtarisht të mërkurën nga Prizreni. Hamza ka premtuar rritje të pagave deri në 50 për qind, si dhe rritje në të njëjtën masë për veteranët, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, si edhe rritje të pensioneve.
Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar një pagë mesatare prej 1.100 eurosh dhe pensione në vlerën e 500 eurove.
Para nisjes zyrtare të fushatës, subjektet politike kanë zhvilluar takime mobilizuese edhe me mërgatën në disa qendra evropiane. Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të caktuara në një periudhë kur mërgimtarët tradicionalisht ndodhen për pushime në Kosovë, kanë rritur interesimin dhe angazhimin e partive për sigurimin e votës së diasporës.
Ndërkohë, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), me rastin e fillimit të fushatës zgjedhore, ka përsëritur thirrjen ndaj subjekteve politike për respektim të plotë të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. AIP thekson se çdo përpunim i të dhënave personale gjatë fushatës duhet të bëhet në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe udhëzimet përkatëse.
Sipas AIP-së, përpunimi i të dhënave për qëllime promovimi, komunikimi me votuesit apo organizimi të aktiviteteve politike duhet të mbështetet në baza të qarta ligjore, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe transparencës. Agjencia ka rikujtuar ndalimin e përdorimit të të dhënave të kontaktit të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike për marketing politik, si dhe të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përpunimin e të dhënave të tyre.
AIP ka bërë të ditur se do të ofrojë mbështetje profesionale për subjektet politike, me qëllim që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me standardet për mbrojtjen e privatësisë dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të jenë të tretat që mbahen brenda këtij viti, pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 283 vëzhgues për procesin zgjedhor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



