Cila do të jetë e ardhmja e raporteve Rama-Kurti

Me pranimin e projekt-statutit të Asociacionit të shumëpritur nga Rama, mund të hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet mes lidershipit kosovar dhe atij shqiptar, duke lënë mënjanë keqkuptimet e së shkuarës. Megjithatë, në të ardhmen nuk do të mungojnë mosmarrëveshjet politike dhe rivalitetet personale…

Populli i mençur shqiptar dhe jo vetëm ai thotë: “Më mirë vonë se kurrë”. Kështu nis postimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama, ku shpreh kënaqësinë e tij, ndonëse me një notë të dukshme polemikash, për rezultatin e takimit të mbajtur në Bruksel më 26 tetor mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe liderëve të Bashkimit Evropian, të Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Gjatë takimit, në fakt, Kurti zyrtarisht ka komunikuar se qeveria e Kosovës është e gatshme të miratojë Marrëveshjen Themelore dhe aneksin e saj të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. E cila ka si gur themeli krijimin e të ashtuquajturës Asociacion të Komunat me shumicë serbe në Kosovë në këmbim të njohjes de-facto të kësaj të fundit nga Serbia.

Këtë rezultat e kishte shpresuar disa herë edhe kryeministri i Shqipërisë, i cili gjithmonë e ka parë krijimin e Asociacionit si një hap të domosdoshëm për afrimin mes Serbisë dhe Kosovës, edhe nëse Kurti, para 26 tetorit, do ta kishte kundërshtuar hapur.

Dallimet për dialogun me Serbinë

Rama dhe Kurti janë edhe atlantikë edhe pro-evropianë Së fundmi, marrëdhëniet mes qeverisë së Kosovës dhe aleatëve të saj perëndimorë janë vënë në provë për shkak të disa mosmarrëveshjeve në lidhje me dialogun me Serbinë dhe menaxhimin e tensioneve në veriun e Kosovës. Qasja e Kurtit është kritikuar vazhdimisht nga BE-ja, e cila pas vendosjes së sanksioneve ndaj Kosovës, u akuzua nga lidershipi kosovar se ka adoptuar një standard të dyfishtë në favor të Serbisë. Në këtë front, Rama e ka gjetur shpesh veten në mosmarrëveshje me Kurtin dhe ka përdorur pragmatizmin e tij dallues në përpjekje për të zbutur pozicionet e qeverisë kosovare në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

Rama, në fakt, që në fillim të mandatit të tij u përpoq t’i jepte Shqipërisë një rol udhëheqës në zhvillimin e rajonit, duke u pozicionuar si një lloj udhërrëfyesi për përfundimin e integrimit rajonal dhe të tregut të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Për ta bërë këtë, ai u përpoq të krijonte një marrëdhënie të mirë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe iu bashkua me vendosmëri nismës Ballkani i Hapur, bashkë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, një projekt i kundërshtuar nga Kurti, i cili gjithmonë preferonte të vazhdonte sipas Procesit të Berlinit dhe të mos krijonte modele të tjera të bashkëpunimi.

Divergjencat

Ndonëse Rama dhe Kurti shpeshherë janë shprehur publikisht se mes tyre nuk ka asnjë problem, ka pasur ngjarje të shumta që kanë nxitur divergjencat. Vendimi i Kurtit për të themeluar dhe mbështetur një degë të partisë së tij, Vetëvendosje, në Shqipëri, e mërziti Ramën. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, kandidatët e partisë së Kurtit bënë fushatë hapur kundër Partisë Socialiste të Ramës. Të mbështetur hapur nga vetë Kurti, i cili udhëtoi disa herë në Shqipëri gjatë fushatës elektorale. Rama, nga ana e tij, asnjëherë nuk e ka fshehur afërsinë e tij të fortë me Hashim Thaçin, njeriun e fortë të Kosovës nga fundi i luftës deri në arrestimin e tij në vitin 2020 dhe që ka përfaqësuar gjithmonë kundërshtarin kryesor politik të Kurtit.

Kohët e fundit ka bërë bujë vendimi i njëanshëm i Ramës për anulimin e takimit të dy qeverive që ishte planifikuar për më 14 qershor në Gjakovë, pasuar nga vizita e Ramës në Prishtinë më 6 korrik, ku ai takoi presidenten kosovare Vjosa Osmani, por jo Kurti.

Më në fund, një ngjarje më pak politike, por po aq befasuese ndodhi më 12 tetor, ditën kur Rama dhe Kurti ishin të pranishëm në stadium për të parë ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Çekisë, por ata u ulën larg njëri-tjetrit. Rama pohoi se nuk ishte i informuar se prezent do të ishte edhe Kurti.

Cila është e ardhmja?

Edhe Rama edhe Kurti janë figura tejet karizmatike dhe me ndikim te shqiptarët. Që të dy i përkisnin familjes socialiste, arritën të vendoseshin në vendet e tyre duke u paraqitur si alternativë ndaj elitave që kishin qeverisur para tyre. Megjithatë, qasja e ndryshme ndaj politikës ndërkombëtare të dyja qeverive dhe karakteristikat e brendshme personale kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet mes dy liderëve.

Nëse është e vërtetë që marrëdhënia mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës nuk është prekur nga dallimet mes lidershipeve dhe mbetet një marrëdhënie vëllazërimi e miqësie, politika ndërkombëtare e Ramës sigurisht që nuk gëzon mbështetjen e shumicës së kosovarëve, veçanërisht për shkak të afërsisë së tij me Vuçiçin. Miqësia e përhershme mes dy popujve, pavarësisht mosmarrëveshjeve politike mes qeverive, u konfirmua nga vetë Rama, i cili përsëriti se Shqipëria do të luajë rolin e saj në arritjen e paqes dhe pajtimit, por nëse gjërat duhet të shkojnë keq, Shqipëria të jetë në anën e Kosovës.

Me pranimin e projekt-statutit të Asociacionit të shumëpritur nga Rama, mund të hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet mes lidershipit kosovar dhe atij shqiptar, duke lënë mënjanë keqkuptimet e së shkuarës. Megjithatë, në të ardhmen nuk do të mungojnë mosmarrëveshjet politike dhe rivalitetet personale për shkak të karakteristikave të dy liderëve karizmatikë. Përmes një postimi të datës 2 nëntor, Rama njoftoi zyrtarisht se së shpejti do të udhëtojë në Kosovë për të shprehur personalisht mbështetjen e tij për qeverinë e Kurtit dhe për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme zbatimit të Marrëveshjes Themelore. Kjo do të jetë një mundësi për të testuar marrëdhëniet e reja mes të dyve. /Përshtati “Pamfleti” nga “East Journal

Publikuar nga Publik Media