Cili është Aldo Gjini që gjakosi Denis Bajrin në burg
Përleshje mes emrave të njohur të krimit në burgun e Fierit, plagoset Denis Bajri dhe Jurgen Zoto
Një përleshje mes të burgosurve ka ndodhur në ambientet e ajrimit të burgut të Fierit, ku janë përfshirë Denis Bajri, i njohur edhe si Denis Brajoviç, dhe Aldo Gjini, personazh i akuzuar nga SPAK si pjesë e grupit të Rrajave të Fushë-Krujës.
Gjatë konfliktit, Denis Bajri ka marrë goditje në trup me një objekt të fortë, ndërsa është transportuar menjëherë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Nga përleshja ka mbetur i plagosur edhe Jurgen Zoto.
Pas ngjarjes, administrata e burgut ka marrë masa, duke futur në dhomë izolimi Aldo Gjinin. Ky veprim ngre dyshime se Gjini mund të ketë qenë personi i përfshirë drejtpërdrejt në plagosjen e dy të dënuarve, megjithëse rrethanat dhe përgjegjësitë për konfliktin mbeten për t’u sqaruar zyrtarisht.
Kush është Denis Bajri
Denis Bajri, i njohur edhe si Denis Brajoviç, akuzohet nga SPAK si pjesë e grupit kriminal të lidhur me Ervis Martinajn, i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022.
Sipas akuzave të SPAK, Bajri dyshohet se, për llogari të Martinajt, ka marrë pjesë në eliminimin e Gjin Ndojit në vitin 2020. Ai u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri, ndërsa SPAK tashmë e ka dërguar dosjen e tij për gjykim.
Aldo Gjini, 15 vite përplasje me drejtësinë
Edhe Aldo Gjini, i njohur gjithashtu si Iamandi Gjini, është një emër i njohur për organet e drejtësisë, me një histori akuzash dhe përplasjesh me ligjin që shtrihet në rreth 15 vite.
Në vitin 2011, Gjini u arrestua nga policia italiane nën akuzën e pengmarrjes. Më 20 shkurt të atij viti, sipas raportimeve të kohës, ai dhe një tjetër shqiptar morën peng një person, e çuan në zonën e Grottammare-s dhe e dhunuan. Konflikti dyshohej se lidhej me ndarjen e territoreve për trafikimin e lëndëve narkotike.
Në vitin 2016, Aldo Gjini u arrestua së bashku me të vëllanë, Andis Gjini, dhe Kelvin Stratin. Ata akuzoheshin si pjesë e një grupi që shpërndante kokainë dhe marijuanë në zonën e Ascoli Piceno-s. Sipas policisë italiane, grupi shpërndante rreth një kilogram kokainë në muaj, krahas sasive të marijuanës.
Më 24 nëntor 2020, emri i Gjinit u shfaq sërish në kronikën e zezë pas të shtënave me armë në Remich të Luksemburgut. Ai u përfshi në listën e personave më të kërkuar, ndërsa më pas u arrestua në Bruksel. Sipas raportimeve të medias së huaj, Gjini u dënua me 30 muaj burg për posedim të paligjshëm të armëve dhe plagosje të rëndë, pasi kishte qëlluar katër herë ndaj një personi.
Në korrik 2021, pasi kishte ardhur në Shqipëri dhe ndërkohë ishte në kërkim, Gjini u përfshi në një tjetër ngjarje të rëndë. Ai akuzohet se plagosi me armë zjarri Altin Gjokën, 32 vjeç, dhe Jetmir Marashin, 28 vjeç, pas një konflikti që kishte nisur për gërvishtjen e automjeteve.
Gjoka mori një plumb në shpatull, ndërsa Marashi u qëllua në gjoks dhe u transportua në spital në gjendje të rëndë. Konflikti dyshohet se u përshkallëzua kur palët tentuan të verifikonin kamerat e sigurisë së një lokali për të përcaktuar përgjegjësinë për përplasjen e automjeteve.
SPAK e akuzon si pjesë të grupit me anëtarë të fisit Rraja
Në dhjetor 2025, SPAK i komunikoi Aldo Gjinit, ndërsa ndodhej në qeli, një masë të re sigurie “arrest në burg”, duke e akuzuar si pjesë të një grupi të strukturuar kriminal të hetuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas SPAK, pjesë e grupit ishin edhe persona nga fisi Rraja, mes tyre djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, si dhe Përparim Rraja dhe Gazmir Rraja.
Përparim Rraja njihet gjithashtu si pronari i gurores në Borizanë, e cila u bë objekt i konfliktit që përfundoi me dhunimin e dy kushërinjve Maja.
Në grupin e goditur nga SPAK përfshiheshin gjithashtu Bujar Sefa, alias Xaka, Agim Nina, alias Lorenc Selmani, Jani Çavo, Sokol Qaja, Marvin Bushati dhe Elton Bogdani. Ky i fundit akuzohet se kishte rolin e drejtuesit të kamionit me të cilin transportohej lënda narkotike.
Përplasja e fundit brenda burgut të Fierit vendos tashmë përballë dy persona të akuzuar nga SPAK në dosje të ndryshme të krimit të organizuar, ndërsa pritet që autoritetet penitenciare të sqarojnë dinamikën e plotë të sherrit, mënyrën se si u sigurua objekti i përdorur gjatë përleshjes dhe përgjegjësitë individuale të personave të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



