E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sherri në burgun e Fierit, zbardhet dëshmia e Denis Bajrit
Lajme

Sherri në burgun e Fierit, zbardhet dëshmia e Denis Bajrit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar brenda ambienteve të burgut të Fierit, ku i dënuari Denis Bajri, i njohur edhe me emrin Brajovic, pretendon se ka qenë objekt i një atentati të organizuar nga rivali i tij, i shumëkërkuari Ibrahim Lici.

Gjatë dëshmisë së dhënë para hetuesve, Bajri ka deklaruar se sulmi ndaj tij është kryer nga Jurgen Zotaj, i cili, sipas tij, ka vepruar me porosi të Licit. Sipas rrëfimit, fillimisht Aldo Gjini ka kërkuar një takim me të, duke u paraqitur në qeli së bashku me Zotajn. Ky i fundit i ka dhënë një telefon, përmes të cilit Bajri pretendon se ka komunikuar drejtpërdrejt me Licin.

“Jeta jote kaq e pati”, mësohet t’i jetë thënë në telefon, përpara se situata të përshkallëzohej. Menjëherë pas kësaj, sipas Bajrit, Zotaj ka tentuar ta godasë me një mjet prerës të improvizuar.

Nga përleshja e ndodhur brenda qelisë, të dy personat kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar për të marrë ndihmë mjekësore.

Pas incidentit, Komisioni i Disiplinës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka marrë masa ndaj stafit përgjegjës, duke përjashtuar 8 efektivë policie dhe duke i referuar në prokurori për shpërdorim detyre. Paralelisht, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, përfshirë lejimin e lëvizjeve të të dënuarve dhe posedimin e një telefoni celular brenda qelisë, send i ndaluar rreptësisht.

Komisioni disiplinor ka vendosur gjithashtu izolimin për një periudhë tre mujore për Aldo Gjinin dhe Jurgen Zotajn. Ndërkohë, Gjini është transferuar në institucionin e vuajtjes së dënimit në Drenovë, ndërsa Zotaj në burgun e Burrelit.

Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë dhe kontrollin në institucionet e vuajtjes së dënimit, duke rikthyer në vëmendje problematikat e brendshme të sistemit penitenciar në vend.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.