E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fati i tij nuk dihet, SPAK çon në GJKKO Vis Martinajn dhe 8 të tjerë
Lajme

Fati i tij nuk dihet, SPAK çon në GJKKO Vis Martinajn dhe 8 të tjerë

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet për fraksionin e ndarë të dosjes “Metamorfoza”, duke dërguar për gjykim 9 persona të pandehur, të cilët janë hetuar në mungesë, pasi masat e sigurisë ndaj tyre nuk janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit prej gati tre vitesh.

Prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti kanë mbyllur hetimet për disa emra të njohur të botës së krimit, mes tyre Ervis Martinaj, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, si dhe Denis Bajri, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Bardhyl Mavra, Eljon Hato dhe Arsad Bashli.

Hetimet janë përfunduar gjithashtu edhe për Nuredin Dumanin, i cili po gjykohet edhe në kuadër të megaoperacionit “Plumbi i Artë”. Dumani ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg” dhe ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Ndaj të gjithë grupit, SPAK ka ngritur akuza të rënda penale, përfshirë “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Pas përfundimit të hetimeve, çështja i ka kaluar Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku pritet hedhja e shortit për caktimin e trupit gjykues që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për kalimin ose jo të dosjes në gjykim.

Nga 9 personat e dërguar për gjykim, vetëm dy prej tyre janë aktualisht të arrestuar: Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i Druve”, dhe Denis Bajri, i cili njihet gjithashtu me mbiemrin Brajovic.

Dosja “Metamorfoza” është një prej hetimeve të rëndësishme të SPAK ndaj grupeve kriminale, ndërsa vijon të jetë në fokus për shkak të emrave të përfshirë dhe akuzave të rënda të ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.