Ç’po ndodh? Rrugët e Tiranës mbushen me postera të ish-drejtuesve të UÇK
Këtë të shtunë, Tirana është zgjuar e mbushur me postera të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Fotot e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë vendosur në billbordet elektronike në rrugët kryesore të kryeqytetit. Poshtë secilës foto është shkruar një mesazh i vetëm, por i qartë:
“Liri për Çlirimtarët”
Ende nuk është bërë publike se kush qëndron pas këtij veprimi, ndërsa autoritetet nuk kanë reaguar zyrtarisht. Megjithatë, kjo lëvizje ka ngjallur kureshtje dhe diskutime të shumta në rrjete sociale dhe media.
Sipas gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, i cili ka ndjekur nga afër procesin gjyqësor në Hagë, vendosja e këtyre posterve mund të sinjalizojë përgatitjen e një proteste në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
“Një skenar i ngjashëm është ndjekur më parë edhe në Prishtinë dhe në Hagë. Mund të jetë sinjali i parë i një proteste që pritet të organizohet në Tiranë,” tha Veliu.
Katër ish-krerët e UÇK-së po përballen me akuza të rënda për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Procesi gjyqësor ndaj tyre po ndiqet me interes të madh në Kosovë, Shqipëri dhe diasporën shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



