Dalin detajet e aksionit italo-shqiptar dhe pasuritë e sekuestruara
Kreu i SPAK: Lëshuam 15 urdhër-arreste dhe sekuestruam 1 milion Euro cash
Kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë një konference të përbashkët për shtyp, ka zbuluar detaje mbi operacionet e zhvilluara në Shqipëri dhe Itali, në bashkëpunim me autoritetet italiane.
SPAK ka vënë në sekuestro pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të Igli Kamberit dhe Ergys Kastratit, të konsideruar si figurat kryesore të grupit kriminal të goditur nga SPAK dhe Antimafia e Barit. Ky grup dyshohet se vepronte në fushën e pastrimit të parave, të ardhura që mendohet se burojnë nga trafiku i drogës dhe transferoheshin nga Italia drejt Shqipërisë.
Në konferencën për media, Braho bëri me dije se gjatë hetimeve janë sekuestruar rreth 1 milion euro cash, si dhe pasuri të tjera që dyshohet se janë produkt i aktivitetit kriminal.
“Është kënaqësi për mua që jam sot në Bari për të komunikuar rezultatet hetimore të operacionit të përbashkët, midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe Antimafies së Barit. Ky operacion është rezultat i një bashkëpunimi të konsoliduar. Në vijim të hetimeve janë caktuar 15 masa sigurimi, 10 prej të cilave nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Tiranë. Gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar në total 1 milionë euro cash dhe, me vendim të gjykatës, janë sekuestruar edhe pasuri të tjera si shoqëri tregtare, automjete dhe llogari bankare, që dyshohet se burojnë nga aktivitetet kriminale.
Ky rezultat nuk vjen në një terren bosh, por është vijimësi e bashkëpunimit të mëparshëm mes policisë së Barit dhe SPAK-ut. Në operacione të mëparshme janë dënuar rreth 170 persona, nga të cilët 145 kanë marrë dënime të konsiderueshme nga 12 deri në 15 vite burg.
Në emër të SPAK-ut, dua të shpreh vlerësimin për autoritetet italiane, veçanërisht për Prokurorinë e Barit, strukturat e specializuara antimafia dhe Eurojust, si dhe për të gjithë hetuesit që kanë kontribuar në këtë dhe hetime të tjera. Gjithashtu falënderoj edhe Policinë e Shtetit në Shqipëri”, deklaroi Braho.
Anëtarët e grupit kriminal janë arrestuar kryesisht në Itali, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar mes agjencive ligjzbatuese. Ata dyshohen për veprën penale “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, si dhe për akuza të tjera që lidhen me krimin e organizuar.
Në total janë sekuestruar 8 automjete, 10 llogari bankare, 4 shoqëri tregtare dhe 680.595 euro cash. Këto të fundit janë sekuestruar në vitin 2024 në Muriqan, ndërsa po tentohej futja e tyre në Shqipëri nga Mali i Zi me automjet nga Lefter Nelaj.
Ndër pasuritë e sekuestruara përfshihet edhe subjekti në pronësi të Igli Kamberit, me aktivitet “Menzë-katering, restorante dhe shërbim ushqimor i lëvizshëm”, me seli në Kashar.
Në pronësi të bashkëshortes së tij, Nevila Kamberi, dhe nënës së saj, Dituri Buzi, janë sekuestruar dy llogari bankare, ndërsa babait të saj, Fatoz Buzi, i është sekuestruar biznesi “Fermer Fatos Buzi”, me aktivitet në bujqësi dhe prodhim frutash-perimesh.
Gjithashtu është arrestuar Ergys Kastrati së bashku me bashkëshorten e tij, Desmira Ceco, së cilës i janë sekuestruar dy llogari bankare.
Pasuri të konsiderueshme i janë sekuestruar edhe Bardhok Gjergjit, për të cilin ende nuk është e qartë lidhja me grupin kriminal. Atij i është bllokuar aktiviteti i shoqërisë “AUTO REND & SELL-ALBANIA sh.p.k.”, si dhe i janë sekuestruar 5 automjete luksoze dhe një llogari bankare.
Po ashtu janë vënë në sekuestro pasuritë e tre personave të tjerë: Saimir Pirra, Sokol Fusha dhe Edi Brahaj, të cilët dyshohet se kanë përfituar nga aktiviteti kriminal i grupit.
LISTA E PASURIVE
Desmira Ceco (bashkëshortja e Ergys Kastratit)
- Dy llogari bankare
Nevila Kamberi (bashkëshortja e Igli Kamberit) dhe Dituri Buzi (e ëma)
- Dy llogari bankare
Fatos Buzi (babai i Nevila Kamberit)
- Shoqëria “Fermer Fatos Buzi”
Igli Kamberi
- Shoqëria tregtare “Igli Kamberi”, person fizik
Bardhok Gjergji
- Shoqëria “Auto Rend&Sell – Albania”
- 5 automjete dhe 1 llogari bankare
Saimir Pirra
- Dy llogari bankare dhe 1 automjet
Lefter Nelaj
- Shoqëria “Lefter Nelaj”, person fizik
- Një llogari bankare
Edi Brahaj
- Dy automjete
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



