E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Debat i ashpër në Kuvend, Braçe vë në siklet Ballën: Si ta votoj?
Lajme

Debat i ashpër në Kuvend, Braçe vë në siklet Ballën: Si ta votoj?

Seanca plenare e Kuvendit u zhvillua mes debatesh të ashpra dhe replikash të drejtpërdrejta mes deputetëve, ku nuk munguan as përplasjet brenda vetë mazhorancës. Një nga momentet më të tensionuara lidhej me diskutimin për Aktin Normativ të paraqitur nga qeveria.

Në qendër të debatit u përfshinë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputeti Erion Braçe. Gjatë fjalës së tij nga foltorja, Braçe ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si duhej votuar akti normativ, duke kujtuar se katër javë më parë një propozim i ngjashëm i bërë prej tij ishte rrëzuar me vendim politik nga grupi parlamentar socialist.

Reagimi i Ballës ishte i menjëhershëm. Ai theksoi se aktet normative nuk mund të trajtohen me amendamente të menjëhershme, duke sqaruar se ato ose miratohen, ose rrëzohen si paketë. Në të njëjtën kohë, Balla u ndal edhe te shqetësimet e ngritura nga Braçe lidhur me dëmshpërblimet për fermerët dhe banorët e prekur nga përmbytjet dhe fenomene të tjera natyrore.

Nga ana e tij, Braçe sqaroi se nuk kishte kërkuar ndryshime në përmbajtjen e aktit normativ, por kishte ngritur një dilemë politike brenda grupit. “Nuk kërkova ndryshim. Thashë vetëm se një amendament i rrëzuar katër javë më parë sot po sillet në formën e aktit normativ. Pyetja ime ishte e thjeshtë: si duhet ta votoj, pro apo kundër?”, u shpreh ai.

Në përgjigje, Balla deklaroi se ndante të njëjtat shqetësime për nevojën e mbështetjes së fermerëve dhe qytetarëve të dëmtuar, por nënvizoi se procedura parlamentare për aktet normative nuk lejon ndërhyrje të menjëhershme. “E vlerësoj shqetësimin e kolegut tim, por akti normativ duhet votuar”, tha ai.

Debati nxori në pah jo vetëm tensionet dhe dilemat brenda grupit parlamentar socialist, por edhe ndjeshmërinë e çështjeve që lidhen me mbështetjen e qytetarëve të prekur nga fatkeqësitë natyrore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.