Deklarata e fortë e Dumanit: Korrupsioni prek të gjitha institucionet
Kreu në ikje i SPAK, Altin Dumani, në një aktivitet të zhvilluar në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, e cilësoi korrupsionin si një plagë që ka prekur të gjitha institucionet e vendit.
Ai theksoi se hetimet e SPAK kanë nisur nga Prokuroritë, ku fatkeqësisht ka qenë e nevojshme të vihen para përgjegjësisë edhe kolegë me të cilët ka pasur marrëdhënie shoqërore.
“Do ta filloja nga Prokuroria. Fatkeqësisht na është dashur t’i vëmë përpara përgjegjësisë edhe kolegët tanë, madje mund të kemi pasur edhe marrëdhënie shoqërore. Por kemi zbatuar detyrën,” tha Dumani.
Ai shtoi se gjatë tre viteve të funksionimit të SPAK janë hetuar dhe gjykuar mbi 70 efektivë policie, disa prej të cilëve u gjetën pjesë e grupeve kriminale. Po ashtu, një gjyqtar është përfshirë në një rast ku i është atribuuar pjesëmarrja në një organizatë kriminale.
“Numri i policëve të hetuar për korrupsion apo vepra të tjera penale është mbi 70. Fatkeqësisht kemi konstatuar funksionarë të lartë policie të implikuar në krim, si pjesë e grupeve kriminale. Por Policia e Shtetit ka edhe djem e vajza që janë të përkushtuar në punën e tyre dhe meritojnë respekt,” u shpreh ai.
Altin Dumani pritet të mbyllë mandatin trevjeçar si kryeprokuror më 18 dhjetor, për t’ia lënë stafetën Klodian Brahos, i zgjedhur një ditë më parë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



