Del FOTO e punonjësit të Bashkisë Durrës që humbi jetën nga përmbytjet
Policia e Durrësit ka konfirmuar zyrtarisht vdekjen e një personi si pasojë e motit të keq, duke shënuar viktimën e parë nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Sipas njoftimit të Policisë, pas kërkimeve intensive të zhvilluara nga shërbimet policore dhe polumbarët e RENEA-s, është gjetur trupi i pajetë i Astrit Hysenajt, 54 vjeç, i cili ishte raportuar i larguar nga banesa.
Trupi u lokalizua në një kanal kullues, në afërsi të ish-repartit ushtarak, ndërsa paraprakisht dyshohet se 54-vjeçari është marrë nga rrjedha e ujit, për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike dhe prurjeve të larta.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. Hetimet vijojnë, ndërsa pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Policia bën me dije se Astrit Hysenaj ishte punonjës i shërbimeve komunale të Bashkisë Durrës, ndërkohë që ngjarja ndodh në një moment kur situata në zonat e ish-Kënetës dhe Spitallës mbetet alarmante, me dhjetëra banesa ende të përmbytura dhe banorë të detyruar të evakuohen.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, duke respektuar udhëzimet e strukturave të emergjencës.
Foto e publikuar nga Voxnews
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




