Delvina kaloi një natë ferri dhe frikë nga shkrumbimi total
Qyteti i vogël i Delvinës është gdhirë sot pas një nate të tmerrshme zjarresh, për herë të dytë brenda pak javësh. Flakët, të favorizuara nga era e fortë, rrezikuan të përpijnë çdo gjë përpara, duke detyruar evakuimin e shtëpive dhe spitalit. Ministri Pirro Vengu deklaroi se rreziku për banorët dhe banesat ka kaluar, megjithëse vatrat ende janë aktive në periferi.
Situata u përshkallëzua brenda një ore në nivelin maksimal të alarmit, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe ato të Ushtrisë arritën të ndalin përhapjen e flakëve në hyrje të qytetit. Pamjet e publikuara nga gazetari Ermir Hoxha në agim tregojnë dhjetëra shtëpi dhe sipërfaqe të mëdha tokash të bëra shkrumb, me qindra rrënjë ullinj dhe drufrutorë të humbura, teksa zjarrfikës e ushtarakë të rraskapitur prehen në rrugë pas një beteje të gjatë.
“Pasi udhëtova gjithë natën nga Kosova për të mbërritur tek familja ime e traumatizuar, pashë se si lagje të tëra kishin humbur gjithçka. M’u kujtuan fjalët e Drita Çomos se nuk ka tmerr që nuk mund të zëvendësohet nga një më i madh,” – tha Hoxha.
Ndërkohë, zjarret në Gramsh vijojnë të përhapin panik. Në Skënderbegas, flakët për pak sa nuk dogjën fshatin e fundit, ndërsa në njësinë Kodovjat, zjarri po i afrohet rrezikshëm Posnovishtit dhe një zinxhiri fshatrash të tjerë.
Deri mbrëmë, në gjithë vendin ishin raportuar 34 vatra zjarri, 27 prej të cilave aktive. Jugul i Shqipërisë mbetet më i rrezikuari, me kërcënim serioz për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën, ndërsa ndërhyrja nga ajri ka nisur për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



