Dënim masiv ndaj farmacive me barna rimbursimi
Urdhri i Farmacistëve paralajmëron kolaps dhe kërkon ndërhyrjen e Ministrisë
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka nisur procedurat për zgjidhjen pa afat të kontratave me rreth 360 farmaci që ofrojnë barna me rimbursim, si dhe ka paralajmëruar ndjekje penale për disa prej tyre, me argumentin e faturave fiktive për afro 10 barna.
Sipas procesverbaleve të dërguara në një pjesë të farmacive, kontratat pritet të zgjidhen menjëherë. Ky vendim ka shkaktuar reagim të fortë nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, i cili e konsideron masën si dënim masiv kolektiv, të pambështetur në prova dhe me pasoja serioze për sistemin farmaceutik dhe pacientët që përfitojnë barna me rimbursim.
Në deklaratën zyrtare, Urdhri thekson se procesverbalet janë hartuar në mënyrë të njëanshme, pa respektuar rregulloren e kontrollit dhe, në disa raste, pa firmën e titullarit, çka i bën ato të kontestueshme ligjërisht. Sipas Urdhrit, pretendimi për “fatura fiktive” është i pabazuar, pasi farmacitë furnizohen vetëm nga importues dhe shpërndarës të kontraktuar me Fondin. Faturat gjenerohen dhe regjistrohen në sistemin e-depo, i cili nuk lejon lëshimin e faturës në mungesë të gjendjes reale të mallit në depo.
“Farmacitë nuk kanë asnjë kompetencë dhe asnjë mundësi tekniko-ligjore për të verifikuar gjendjen fizike të barnave në depo; kjo është përgjegjësi e Fondit dhe strukturave të tij kontrolluese,” thuhet në deklaratë. Urdhri paralajmëron se kjo procedurë rrezikon furnizimin e pandërprerë të pacientëve dhe stabilitetin e shërbimit farmaceutik në tërësi.
Një tjetër argument i ngritur është se pothuajse të gjitha farmacitë e prekura janë kontrolluar më parë nga Drejtoritë Rajonale dhe nga vetë Fondi, përfshirë inventarizime fizike të barnave përkatëse, pa u konstatuar shkeljet që tani pretendohet se ekzistojnë. Në këto kushte, Urdhri kërkon ndërprerjen e menjëhershme të çdo procedure apo veprimi administrativ që mund të çojë në penalizime masive ose reagime bllokuese nga farmacistët.
Urdhri i Farmacistëve thekson se është kundër çdo forme abuzimi apo përfitimi të paligjshëm, por nuk do të pranojë penalizime kolektive, veprime arbitrare apo kërcënime penale pa prova dhe pa procedurë ligjore, të cilat cenojnë profesionin dhe interesin publik. Për zgjidhjen e situatës, kërkohet ndërhyrja e menjëhershme e Ministria e Shëndetësisë.
Nga ana tjetër, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nuk ka bërë ende një sqarim të detajuar publik mbi bazën provuese të pretendimeve, ndërsa tensionet në sektorin farmaceutik vijojnë të rriten.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



