Denoncimi: AKSHI jep 7 milionë euro pa garë, me të njëjtin përfitues
Miliona euro për miqtë e pushtetit
Partia Demokratike ka hedhur akuza të forta ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke e akuzuar për kontrata të dyshimta me vlerë miliona euro, të lidhura pa transparencë dhe pa garë.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, tha se gjatë periudhës 2018–2025, AKSHI ka shpenzuar rreth 7 milionë euro me TVSH, për mirëmbajtjen e sistemit të informacionit të shëndetësisë, duke përdorur procedura të mbyllura dhe me negocim pa shpallje publike të kontratave.
“Kemi të bëjmë me 11 kontrata të dhëna pa garë, me të njëjtin operator ekonomik, çka ngre dyshime serioze për abuzim me fondet publike,” tha Vangjeli.
Rritje e dyshimtë e vlerës së kontratave
Sipas të dhënave të publikuara nga PD, vetëm për QSUT-në, janë lidhur 4 kontrata mirëmbajtjeje me vlerë totale 4.3 milionë euro (në vitet 2018, 2020, 2022 dhe 2025).
Edhe pse objekti i kontratave është i njëjtë, vlera e tyre është rritur ndjeshëm — nga 800 mijë euro në vitin 2018 në 1.6 milionë euro në 2025.
Situata është e ngjashme edhe në Spitalin e Traumës, ku janë lidhur 4 kontrata me vlerë totale 1.8 milionë euro. Nga 300 mijë euro në 2019, shifra ka arritur në 888 mijë euro në kontratën e fundit për vitin 2025.
Ndërsa për Spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë nënshkruar 3 kontrata me vlerë 517 mijë euro, në vitet 2019, 2022 dhe 2024.
Thirrje për hetim nga SPAK
Partia Demokratike kërkon që SPAK të nisë menjëherë hetimet, duke ngritur disa pyetje që, sipas saj, prekin interesin publik:
-
A ka respektuar AKSHI nenin 47 të Ligjit për Prokurimet Publike, i cili lejon kontrata me negocim pa shpallje vetëm në raste të veçanta?
-
Pse janë rritur fondet dhe vlerat e kontratave, ndërkohë që objekti i shërbimit mbetet i pandryshuar?
-
Pse të gjitha kontratat janë fituar nga i njëjti operator, duke përjashtuar çdo formë konkurrimi?
“Vetëm për QSUT, kostoja e mirëmbajtjes arrin në 81 mijë euro në muaj. Ndërkohë që në spitale mungojnë medikamentet dhe pacientët përballen me kushte të vështira, qeveria shpërndan miliona euro për kontrata të mbyllura,” u shpreh Vangjeli.
Në përfundim, ajo theksoi se fondet publike duhet të përdoren për pacientët dhe përmirësimin e shërbimit shëndetësor, e jo për “ushqimin e klientelës politike të pushtetit”.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Ndërsa shëndetësia shqiptare ndodhet në një gjendje të mjerueshme, me mungesa kronike të medikamenteve në Onkologjik, Pediatri dhe spitale të tjera, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nën varësinë e Edi Ramës, vazhdon të shpenzojë miliona euro për kontrata të dyshimta.
Vetëm për mirëmbajtjen e sistemit të informacionit të shëndetësisë, AKSHI ka shpenzuar 7 milionë euro me TVSH gjatë periudhës 2018-2025, duke përdorur procedura të mbyllura dhe pa transparencë, me negocim pa shpallje të njoftimit të kontratës, dhe me të njëjtin përfitues në çdo rast.
Kështu:
Për QSUT-Janë lidhur 4 kontrata mirëmbajtjeje me vlerë totale 4.3 milionë euro (2018, 2020, 2022, 2025).
Edhe pse objekti është i njëjtë, vlera e kontratave është rritur nga 800 mijë euro në 2018 në 1.6 milionë euro në vitin 2025.
Për Spitalin Universitar të Traumës-Janë lidhur 4 kontrata me vlerë totale 1.8 milionë euro (2019, 2021, 2023, 2025).
Vlera është pothuaj trefishuar nga 300 mijë euro në 2019 në 888 mijë euro në 2025.
Për Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’-Janë lidhur 3 kontrata me vlerë 517 mijë euro (2019, 2022, 2024).
Në total, 11 kontrata janë dhënë pa garë dhe pa transparencë, me të njëjtin operator ekonomik, duke krijuar një monopol në mirëmbajtjen e sistemit të informacionit shëndetësor dhe duke ngritur dyshime serioze për abuzim me fondet publike.
Partia Demokratike i kërkon SPAK të nisë menjëherë hetimet për këto kontrata dhe të japë përgjigje për pyetjet thelbësore që prekin interesin publik:
A ka respektuar AKSHI nenin 47 të Ligjit për Prokurimet Publike, sipas të cilit përdorimi i kontratave me negocim pa shpallje lejohet vetëm në situata specifike që nuk duhet të shkaktohen nga vetë autoriteti kontraktor?
Pse janë rritur fondet limit dhe vlerat e kontratave nga viti në vit, ndërkohë që objekti i shërbimit mbetet i njëjtë?
Pse për 11 kontrata është përzgjedhur vetëm një operator ekonomik, duke eliminuar konkurrencën?
A është reale kostoja e këtij shërbimi që me kontratat e fundit të paktën për QSUNT shkon në 81 mijë euro në muaj për mirëmbajtje sistemi?
Paratë e qytetarëve shqiptarë duhet të shkojnë për pacientët, për përmirësimin e shërbimit shëndetësor dhe për furnizimin me medikamente, jo për kontrata të dyshimta që mbushin xhepat e klientëve të pushtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



