E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi i Armir Shkurtit: 5 orë u bllokuam në Dragostunjë pa  informacion  nga policia
Lajme

Denoncimi i Armir Shkurtit: 5 orë u bllokuam në Dragostunjë pa informacion nga policia

“Sot ishim në dorë të Zotit”

Një rrëshqitje masive dheu dhe gurësh në zonën e Dragostunjë bllokoi paraditen e së dielës aksin kombëtar Librazhd – Qafë Thanë, duke paralizuar plotësisht qarkullimin në të dy drejtimet dhe duke lënë qindra udhëtarë të bllokuar për orë të tëra në mes të rrugës malore.

Mes tyre ishte edhe gazetari Armir Shkurti, i cili ka bërë një denoncim publik për mungesën totale të reagimit institucional dhe mungesën e informacionit për qytetarët e mbetur në trafik.

“Kam qenë vetëm pak metra larg zonës së rrëshqitjes. Qëndrova mbi 5 orë i bllokuar, pa asnjë njoftim zyrtar, pa asnjë orientim dhe pa asnjë prezencë reale të strukturave që duhet të menaxhojnë emergjenca të tilla,” shprehet ai.

Telefonata pa përgjigje dhe mungesë koordinimi

Sipas Shkurtit, situata u përkeqësua nga fakti se as shërbimet emergjente nuk kishin informacion të qartë mbi ngjarjen.

“Kam telefonuar policinë dhe ndihmën e shpejtë. Përgjigjet ishin të paqarta. Dukej sikur askush nuk e dinte realisht çfarë kishte ndodhur në terren,” thekson gazetari, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e zinxhirit të informimit në raste emergjencash rrugore.

Ai shton se kërkesa minimale ishte njoftimi i drejtuesve të mjeteve në hyrje të segmentit problematik, për të shmangur krijimin e një vargu trafiku që, sipas tij, arriti mbi 20 kilometra.

“Rrugët alternative u kthyen në makth”

Në mungesë të udhëzimeve zyrtare, shumë drejtues mjetesh tentuan të gjenin rrugë alternative, por sipas dëshmisë së gazetarit, edhe kjo rezultoi një aventurë e rrezikshme.

“Jo vetëm që ishim në dorë të Zotit në atë aks, por edhe rrugët alternative u kthyen në makth. Terren i vështirë, pa sinjalistikë, pa siguri. Ishte një situatë që rrezikonte seriozisht jetën e njerëzve,” deklaron ai.

Ironia e hidhur ndaj Policisë Rrugore

Me tone sarkastike, Shkurti ka kritikuar edhe rolin e strukturave të qarkullimit rrugor.

“Sot nuk pamë polici për të menaxhuar emergjencën. Jemi mësuar t’i shohim ose për gjoba ndaj shqiptarëve me targa vendase, ose duke u ndarë ujë turistëve për foto. Por sot, kur duhej prania reale në terren, mungesa ishte ulëritëse,” thotë ai.

Sipas tij, edhe linja e emergjencës 129 mezi përgjigjej, duke shtuar ndjesinë e braktisjes tek qytetarët e mbetur për orë të tëra në mes të rrugës.

Thirrje për përgjegjësi

Denoncimi i gazetarit ngre një problem më të gjerë se vetë rrëshqitja e dheut: mungesën e menaxhimit të krizave në infrastrukturën rrugore kombëtare. Në një aks kaq të rëndësishëm si Librazhd–Qafë Thanë, që lidh juglindjen me pjesën tjetër të vendit dhe me kufirin, mungesa e informacionit dhe koordinimit institucional kthehet në rrezik real për jetën e qytetarëve.

“Sot nuk ishte thjesht trafik. Ishte pasiguri totale,” përfundon Shkurti, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të sqarojnë publikisht çfarë ndodhi, pse nuk pati reagim në kohë dhe kush mban përgjegjësi për orët e gjata të kaosit në rrugë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.