Denoncimi i qytetares: Nuk po gjej zgjidhje askund për tokën e grabitur
Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al hedh dritë mbi një konflikt të gjatë pronësie në adresën Rr. Mustafa Matohidi, Pallati, Ap. 7, ku banorët pretendojnë se prej më shumë se tre dekadash u është marrë padrejtësisht një pjesë e territorit që u takon me vendim të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Sipas denoncueses, familja Konomi, që zotëron dyqanin poshtë pallatit, një ish-kinkaleri e privatizuar pas viteve ’90, ka zgjeruar hapësirat përtej kufijve ligjorë, duke zaptuar gjithnjë e më shumë territor, pavarësisht se sipas saj “toka nën dyqane është pronë e përbashkët”.

“Na ka marrë vite jetë, një ç’njerëzillik i paimagjinueshëm”
Banorja që ka depozituar denoncimin shprehet për Publik.al:
“Rr. Mustafa Matohidi, Pallati Ap. 7 jetojmë ne, mbasi na ka rënë plani që në ’80, që kishim shtëpi përdhese private. Poshtë pallatit kishte një kinkaleri, që pas ’90 u privatizua dhe shiteses ia bleu familja Konomi. Por toka nën dyqane na u kthye neve me vendimin e kthimit të pronave. Familja Konomi nuk e mori kurrë parasysh.”
Sipas saj, konflikti është përshkallëzuar me vite:
“Ai e nisi me një çadër, pastaj me dy. Mos harrojmë se për më shumë se një vit ia kam shkruar kryeministrit Rama këto shqetësime dhe kam pasur korrespondencë rreth një viti me Ana Raskun. Dosja ekziston. Sot kanë uzurpuar 52 metra. Asnjë metër katror sipërfaqe nuk është i tyre.”
Banorja pretendon gjithashtu se hapësira është zgjeruar pa asnjë dokument pronësie:
“Edhe pjesën nën dyqanin e parë, që në kohën e Enverit ka qenë kinkaleri, nuk e ka të veten. Jemi bashkëpronarë.”




Pretendimet për mbështetje politike (banori: “janë thashetheme”)
Ajo shton se në komunitet qarkullojnë zëra për “mbështetje nga persona me influencë”, por i cilëson vetë si thashetheme:
“Flitet se e shoqja e ka kushuri… ndoshta edhe Monika Kryemadhi, por këto janë thashetheme. Desha t’jua plotësoj edhe këtë, por theksoj që janë vetëm fjalë rruge.”
“Prej 2.5 vitesh çështja është në Prokurori. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje”
Në vijim të denoncimit, qytetarja thekson se çështja ka kaluar në filtër penal prej vitesh:
“Ka 2.5 vjet që ky kundërvendim ka shkuar në Prokurori dhe është në dosjen tonë që e trajton prokurorja Elfrida Bregova. Unë shkoj vazhdimisht, por nuk kam arritur ta gjej në ditën e pritjes. Me telefon na tha se do na jepnin zberdhjen e ekspertizës, por s’kemi marrë asgjë.”
Banorja thotë se institucionet i çojnë herë te njëra, herë tek tjetra:
“Zyrat e Mbrojtjes së Territorit thonë se kemi shembur pjesën që ai s’ka leje dhe certifikatë pronësie. Unë shkova sot dhe i thashë: më jepni çfarë certifikate pronësie ka ai njeri, qoftë edhe një numër protokolli. Më thanë të shkoja në Prokurori. Asgjë tjetër.”
Ajo shton se në fillim i kishin thënë se biznesi ishte legalizuar vetëm me 3 metra katror, ndërsa sot pretendohet një shtrirje prej 52 m².
“Kemi vite që e kemi denoncuar, por askush nuk na dëgjoi”
Banorja shpjegon se prej vitesh ka bërë kallëzime në polici:
“Që kur ka filluar shkelja, kemi shkuar në polici të Rajonit 2 dhe kemi denoncuar. Policia e çoi në Prokurori. Ish-prokurori fillimisht u soll mirë, pastaj na tha: ‘bejeni me vetgjyqësi’. E çuam në Apel dhe Apeli e rrëzoi vendimin, se s’mund të na çonin të vriteshim me njëri-tjetrin.”
Çështja në ngërç: “Nuk na lejohet të hapim proces civil sa kohë ka proces penal”
“Na thanë që nuk mund të bëhet gjyq civil ndërkohë që ekziston një proces penal. Jemi në pritje të konkluzioneve të ekspertit, por nuk kemi asnjë kontakt me prokuroren.”
Qytetarja tregon se ka dërguar kërkesë zyrtare për takim me prokuroren Bregova:
“Kam disa të marta që shkoj në orën 2, kur është pritja e popullit, por ajo nuk është aty. Ne jemi në Prokurori prej 4–5 vitesh dhe asgjë nuk lëviz.”

“Jam në moshë dhe i kam kushtuar jetën kësaj çështjeje”
Qytetarja shprehet se ka vepruar me prokurë të djalit, i cili jeton jashtë:
“Jam në moshë. Nuk doja që fëmijët e mi të përballeshin me këtë. Kam qënë arsimtare, dhe këtë djalin, Arqile Konomin, i kam pasur nxënës bashkë me të vëllanë. Sot i biri, Aldo Konomi, i trajton çështjet. Janë të palogjikshëm, nuk merremi vesh dot.”
Ajo shton se nuk banon më në pallat, pikërisht për shkak të konfliktit të zgjatur.
Pritje të pafundme në institucionet lokale
Denoncuesja thotë se dhe në terren situata mbetet e paqartë:
“Një inspektor i Mbrojtjes së Territorit më premtoi numrin e protokollit të lejes së ndërtimit, por nuk erdhi. Ai që e zëvendësonte më tha të shkoja në Prokurori. Ne kërkojmë vetëm transparencë: të na thonë çfarë dokumenti ka ai njeri.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



