Denoncimi: Rama, Sako & CO po zhdukin plazhin e Durrësit
Deputeti i Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara, ka ngritur alarmin për gjendjen e rënduar të vijës bregdetare në Durrës, duke publikuar pamje ku plazhi shfaqet i ndotur dhe i mbuluar me mbeturina.
Përmes një reagimi publik, ai ka drejtuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakes Emiriana Sako, duke i cilësuar zhvillimet në këtë zonë si rezultat i keqmenaxhimit dhe abuzimit me fondet publike. Sipas tij, ndërhyrjet e fundit po dëmtojnë rëndë një nga asetet më të çmuara natyrore dhe turistike të vendit.
“Nga një plazh i bekuar nga natyra, Durrësi rrezikon të mbetet vetëm një kujtim. Ajo që po ndodh sot është e papranueshme dhe përbën një tjetër shembull të shpërdorimit të fondeve publike dhe korrupsionit të hapur,” shprehet Cara, duke shtuar se projekte të tilla po cenojnë identitetin historik të qytetit.
Ai e cilëson situatën si një “masakër mjedisore”, ndërsa bën me dije se rreth 10 muaj më parë ka depozituar një kallëzim në organet e drejtësisë, në bashkëpunim me një arkitekte. Sipas tij, mungesa e një reagimi deri më tani ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë.
“Nuk jam këtu thjesht si politikan, por si qytetar i Durrësit që sheh se si një pasuri kombëtare po dëmtohet. Kjo bëhet për interesa të ngushta dhe për të favorizuar individë të caktuar,” thekson ai, duke përmendur edhe investitorë që, sipas tij, kanë përfituar sipërfaqe të konsiderueshme në zonë.
Deklaratat e deputetit kanë rikthyer në fokus debatin mbi menaxhimin e hapësirave publike në zonat bregdetare dhe transparencën në projektet e zhvillimit urban.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



