Dëshmitari rrëfen momentin e vrasjes së Elis Rroshkodolit
“Autori mbante maskë dhe një armë, donte të vriste dhe mua”
Emisioni investigativ “Në Shënjestër” ka publikuar detaje të reja nga dosja hetimore për vrasjen e Elis Rroshkodolit, i cili u qëllua për vdekje më 30 gusht 2024 në një lokal në Shkodër. Dëshmia e shokut të tij të fëmijërisë, i cili ndodhej me të në momentin e ngjarjes, ka qenë kyçe për hetimin.
Sipas këtij dëshmitari, autori i veshur me maskë anti-COVID dhe i armatosur me një armë të gjatë, u afrua në distancë prej rreth 3-4 metrash dhe hapi zjarr pa thënë asnjë fjalë. Viktima u qëllua disa herë, ndërsa dëshmitari rrëfen se autori tentoi ta qëllonte edhe atë, por ai i bërtiti se s’kishte lidhje me asgjë, çka e detyroi atentatorin të largohej.
Po nga kjo dëshmi mësohet se Rroshkodoli po përdorte një makinë Audi Q5, të cilën e kishte ndërruar me një BMW, dhe se planifikonte të largohej jashtë vendit. Sipas mikut të tij, Elisi nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim konkret, por ishte dukshëm i stresuar në ditët para ngjarjes.
Dosja hetimore ndërlikohet më tej kur dyshimet nisin të lidhen me Dritan Milanin, person që rezulton të ketë përdorur të njëjtën makinë Mercedes Benz me targa të vjedhura (BR BL 680) që u identifikua si mjeti i përdorur në atentat. Sipas emisionit “Në Shënjestër”, makina në fjalë është vjedhur në Mal të Zi më 5 gusht 2024, ndërsa pas krimit iu ndërruan targat me një tjetë set (SOP 1095), të vjedhura në Gjermani.
Hetuesit kanë ndjekur itinerarin e mjetit duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë në rrugën Balldre-Shkodër, më pas në Bërzhitë, e deri tek servisi “Prodiagnostic”, ku më vonë u zbulua një garazh që shërbente për çmontimin e makinave të dyshuara si të përfshira në veprimtari kriminale.
Ky servis ishte marrë me qira nga vëllezërit Voltan dhe Gerti Xhani, me një pagesë vjetore prej 12 mijë euro, ndërsa Xhulio Malo figuron si menaxher i aktivitetit. Në katin e nëndheshëm, që shërbente si magazinë, dyshohet se është fshehur automjeti i krimit.
Një tjetër element kyç në hetim ishte dëshmia e pronarit të një biznesi aty pranë, i cili kishte gjetur një kofano makine të hedhur jashtë lokalit të tij dhe e kishte futur brenda ambientit. Ky kofano rezultoi se i përkiste makinës së përdorur në vrasje, duke i çuar hetuesit direkt në servisin e dyshuar.
Sipas emisionit “Në Shënjestër”, sistemi TIMS ka konfirmuar se më 21 prill 2024, Dritan Milani, Voltan Xhani, Jugert Xhani dhe Alket Fusha kanë kaluar bashkë kufirin shqiptar me automjetin me targa AB 158 MU. Ky fakt forcon dyshimet për një bashkëpunim të strukturuar midis tyre për të kryer vrasjen.
Në dosje, Voltan Xhani dhe nipi i tij Xhulio Malo rezultojnë të kenë pasur rol në sigurimin e mjeteve logjistike të krimit, duke përfshirë vendstrehimin e mjetit dhe ndihmën pas atentatit. Vetë autori i dyshuar, Dritan Milani, është aktualisht në kërkim, ndërsa arma e përdorur nuk është gjetur ende.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



