DETAJET/ Dënohet ish-kreu i SHISH në Berat dhe djali i tij
Ish-kreu i SHISH-it në Berat, Aleksandër Shulla, dhe djali i tij, Pandeli Shulla, janë dënuar nga Gjykata e Beratit për disa vepra penale, përfshirë organizimin e lojërave të fatit, armëmbajtjen pa leje dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror.
Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg për Pandeli Shullën, duke e vendosur atë në provë për një periudhë 2 vite e 8 muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepra të tjera penale dhe të jetë në kontakt të rregullt me Shërbimin e Provës.
Ndërkohë, për Aleksandër Shullën, gjykata vendosi heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Detajet e hetimit
Nga hetimet e nisura në vitin 2023, pas informacioneve operative, rezultoi se në një ambient në lagjen “30 Vjetori”, në një lokal që drejtohej nga Pandeli Shulla, zhvilloheshin lojëra fati të paligjshme. Gjatë kontrollit, u konstatuan disa kompjuterë të ndezur, në ekranet e të cilëve shfaqeshin lojëra online të ngjashme me ato të “Adex Casino”.
Verifikimet teknike provuan se përmes aplikacioneve të instaluara në këto pajisje elektronike dhe lidhjes me internetin, realizoheshin lojëra fati online në kundërshtim me ligjin.
Armë dhe materiale sekrete në banesë
Gjatë kontrollit të banesës së Aleksandër Shullës, u gjetën:
-
një krëhër metalik me 5 fishekë të kalibrit 7.62 mm,
-
një çantë dore me 3 krëhër të tjerë, secili i mbushur me nga 7 fishekë,
-
dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”.
Aleksandër Shulla, i cili kishte ushtruar detyrën si Drejtor i SHISH-it në Berat, deklaroi se në nëntor 2023 ishte larguar nga detyra dhe kishte dorëzuar armatimin, por kishte harruar të dorëzonte municionin, të cilin, sipas tij, e kishte marrë si suvenir nga godina e vjetër e SHIK-ut.
Megjithatë, verifikimet e Prokurorisë treguan se armatimet ishin dorëzuar zyrtarisht, fakt i provuar edhe nga dokumentacioni përkatës. Po ashtu, u konstatua se dy materiale të gjetura në USB ishin të klasifikuara “sekret”, administroheshin në SHISH në kopje të vetme dhe kopjimi i tyre është i ndaluar me ligj.
Marrja dhe ruajtja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, sipas Prokurorisë, përbën shkelje të rëndë të sigurisë shtetërore.
Vendimi i gjykatës
“Në përfundim të hetimeve paraprake, pas analizës së plotë të provave, rezulton se ka prova të mjaftueshme që të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata vendosi:
-
Pandeli Shulla u shpall fajtor për organizim të lojërave të fatit dhe u dënua me 2 vite burg, dënim që pas uljes me 1/3 u konvertua në 1 vit e 4 muaj burg, me pezullim dhe provë 2 vite e 8 muaj.
-
Aleksandër Shulla u shpall fajtor për armëmbajtje pa leje dhe tregim të sekretit shtetëror, duke u dënuar përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burg, dënim i pezulluar, si dhe ndalim për ushtrimin e funksioneve publike për 5 vite.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



