Dhuna në protesta, AMP analizon pamjet filmike të policisë në Tiranë dhe rrethe
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka vënë në verifikim veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, pas evidentimit të rasteve që mund të përbëjnë shkelje të ligjit gjatë ndërhyrjeve ndaj protestuesve.
Gjatë tubimeve, përfaqësues të AMP-së kanë qenë të pranishëm në terren për të monitoruar situatën dhe për të dokumentuar raste konkrete. Paralelisht, agjencia ka mbledhur pamje filmike të transmetuara nga mediat dhe të shpërndara në rrjetet sociale, të cilat do të analizohen për të sqaruar rrethanat e ngjarjeve dhe për të identifikuar përgjegjësit e mundshëm.
Verifikimet synojnë të përcaktojnë nëse gjatë veprimeve policore janë respektuar procedurat dhe kompetencat ligjore, si dhe nëse ka pasur raste të tejkalimit të detyrës nga efektivët e angazhuar në menaxhimin e protestave.
Sipas AMP-së, për rastet e konstatuara po vijojnë procedurat përkatëse, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Agjencia sqaron se ky bashkëpunim nuk do të ndikojë në pavarësinë e procesit të verifikimit dhe hetimit.
Për ngjarjet ku janë evidentuar të dhëna që mund të përbëjnë elemente të veprave penale, veprimet procedurale po kryhen nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
AMP bën me dije se monitorimi do të vijojë për çdo rast që lidhet me ushtrimin e detyrës nga punonjësit e policisë. Në qendër të këtij procesi janë zbardhja e rrethanave, përcaktimi i përgjegjësive dhe garantimi i zbatimit të ligjit, me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.
Verifikimi i pamjeve filmike pritet të ndihmojë në dokumentimin e episodeve të denoncuara dhe në vlerësimin e veprimeve të efektivëve gjatë protestave. Përgjegjësitë konkrete do të përcaktohen në përfundim të procedurave përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



