Dhunë brutale në Fushë Arrëz, çifti përfundon me fraktura
Dyshime hakmarrje të lidhura me drogën
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Arst, në bashkinë Fushë Arrëz, ku një çift bashkëshortësh është dhunuar brutalisht nga persona ende të paidentifikuar.
Mësohet se autorët kanë hyrë në banesën e shtetasve Skënder Nika dhe Bardhe Nika, duke ushtruar dhunë të rëndë fizike ndaj tyre. Si pasojë e sulmit, çifti ka pësuar fraktura në gjymtyrë, konkretisht në duar dhe këmbë, duke u lënë në gjendje të rënduar shëndetësore.
Paraprakisht dyshohet se motivi i kësaj ngjarjeje lidhet me një denoncim që çifti kishte bërë disa javë më parë pranë policisë, në lidhje me një aktivitet të paligjshëm të kultivimit të lëndëve narkotike në zonë.
Burime bëjnë me dije se rreth një muaj më parë, në afërsi të banesës së tyre, policia zbuloi rreth 15 mijë bimë kanabisi. Parcelat dyshohet se u përkisnin disa personave në kërkim, mes tyre shtetasi P. Delia dhe dy djemtë e tij.
Ngjarja ka ngritur dyshime të forta për një akt hakmarrjeje ndaj çiftit, për shkak të bashkëpunimit të tyre me autoritetet ligjzbatuese.
Menjëherë pas njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur forcat e policisë dhe shërbimi i urgjencës, të cilët kanë transportuar të dëmtuarit për ndihmë mjekësore, ndërsa kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë më shumë detaje mbi autorët dhe motivet e sulmit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



