Dhunohet brutalisht punonjësi në Vlorë, rrezikon të humbë shikimin
Një akt i rëndë dhune është shënuar pasditen e sotme në qytetin e Vlorës, ku 61-vjeçari Kozma Kukli është sulmuar fizikisht nga dy persona ende të paidentifikuar zyrtarisht nga autoritetet.
Ngjarja ka ndodhur në zonën përballë tregut të Çoles, ku dy persona që udhëtonin me një furgon janë afruar, kanë zbritur dhe kanë goditur rëndë të moshuarin, duke i shkaktuar dëmtime serioze.
Sipas dëshmitarëve, banorët e zonës i dolën menjëherë në ndihmë Kuklit, duke njoftuar ambulancën dhe policinë. I plagosuri është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Burime mjekësore bëjnë me dije se ai ka pësuar dëmtime në kokë dhe në syrin e djathtë, me rrezik për humbje të shikimit. Pamjet nga vendngjarja tregojnë 61-vjeçarin me rroba të gjakosura dhe të shtrirë në trotuar, në gjendje të rënduar.
Policia e Vlorës ka reaguar menjëherë dhe ka shoqëruar në komisariat dy autorët e dyshuar të dhunës. Hetimet janë në vijim për të zbardhur rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



