Ditët e fundit të fushatës/ Donald Trump: Do ta çlirojmë Amerikën!
Kamala Harris shfaqet në show-n humoristik
Kandidati republikan për president, Donald Trump, u ka thënë mbështetësve të tij në Karolinën e Veriut se SHBA-ja është një vend i pushtuar por që shumë shpejtë nuk do të jetë më.
Gjatë një tubimi në këtë shtet, ish-presidenti amerikan ka deklaruar se 5 nëntori do të jetë dita e çlirimit të Amerikës, raporton BBC.
“SHBA-ja është tani një vend i pushtuar, por së shpejti nuk do të jetë më”, është shprehur Trump.
Ish-presidenti i ka thënë turmës se po planifikonte një agjendë me shumë mitingje gjatë dy ditëve të fundit të fushatës, me tri të planifikuara për të dielën dhe katër për të hënën.
Sipas planit të tij të fushatës, Trump të dielën do të mbajë tubime në Pensilvani, Karolinën e Veriut dhe Xhorxhia.
Një Depresion i dytë i Madh është në horizont nëse Zëvendëspresidentja Harris fiton Shtëpinë e Bardhë, paralajmëroi sfiduesi i saj republikan, Donald Trump të shtunën në një tubim 90-minutësh në Karolinën e Veriut.

Duke folur para një turme prej 20,000 vetësh ish-presidenti Donald Trump goditi administratën aktuale dhe tha se katastrofa ekonomike është në horizont.
“Joe Biden është Herbert Hoover”, tha Trump. “Nëse Kamala fiton, ju jeni tre ditë larg fillimit të një depresioni ekonomik të stilit të vitit 1929. Unë e besoj këtë.”
Por, “nëse unë fitoj, ju jeni tre ditë larg punëve më të mira, pagave më të mëdha, të ardhmes më të ndritshme ekonomike që bota ka parë ndonjëherë”, siguroi Trump.
Trump gjithashtu e cilësoi Harrisin si një “grua të dobët dhe budallaqe”, duke e tallur atë për dështimin e paraqitjes në podkastin e Joe Rogan.
“Nëse Kamala nuk mund të përballojë një intervistë me Joe Rogan, atëherë ajo nuk mund të përballojë presidencën dhe sigurisht që nuk mund të përballojë Vladimir Putinin ose Presidentin Xi të Kinës”, tha Trump.
Ndërkohë, kandidatja demokrate, Kamala Harris e mbylli ditën e shtunë duke u shfaqur në “Saturday Night Live” dhe duke marrë pjesë në një skeç komedie live së bashku me komedianen dhe aktoren, Maya Rudolph.
Në tubimin e saj në Charlotte në Karolinën e Veriut, Kamala Harris kritikoi rivalin e saj Donald Trump.

“Ky është dikush që është gjithnjë e më i paqëndrueshëm,” tha ajo, “i fiksuar pas hakmarrjes, i konsumuar nga ankesa”.
Nëse Trump bëhet president, ai do të fokusohet në “listën e tij të armiqve”, tha Harris.
“Ndryshe nga Donald Trump, unë nuk besoj se njerëzit që nuk pajtohen me mua janë armiku”, tha ajo.
“Ai dëshiron t’i futë në burg. Unë do t’u jap atyre një vend në tryezë. Kështu duket lidershipi i vërtetë,” shtoi ajo.
Harris tha se nëse fiton zgjedhjet presidenciale, ajo do të fillojë të punojë në “listën e saj të detyrave”, e cila përfshin një ulje taksash për më shumë se 100 milionë amerikanë.
“Në krye të listës sime është ulja e kostos së jetesës për ju”, shtoi ajo.
Më shumë se 75 milionë njerëz kanë hedhur tashmë votën e tyre, por të dyja fushatat janë ende duke bërë përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve të pavendosur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



