Djali i Maduros: Baba, Venezuela është në duar të sigurta!
Djali i presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, ka mbajtur një fjalim emocional në Asamblenë Kombëtare, ku u shpreh se vendi ndodhet “në duar të sigurta” dhe se institucionet po vazhdojnë të funksionojnë normalisht.
Gjatë fjalës së tij, ai iu drejtua drejtpërdrejt babait të tij, duke theksuar se detyrat shtetërore po përmbushen deri në rikthimin e tij. Sipas tij, Venezuela mbetet e qëndrueshme dhe e mbrojtur, ndërsa familja pret ribashkimin.
“Vendi është në duar të sigurta. Ne po bëjmë gjithçka që duhet bërë derisa të kthehesh. Shumë shpejt do të vish në Venezuelë dhe do të shohësh fëmijët e tu”, u shpreh ai, duke përmendur edhe bashkëshorten e Maduros, Cilia Flores.
Fjalimi u mbyll me thirrje patriotike, ku ai shprehu besnikëri ndaj vendit dhe institucioneve, duke deklaruar gatishmërinë për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm në funksion të Venezuelës.
“Rroftë Venezuela. Jetë të gjatë këtij vendi. Ja ku jemi, gati të bëjmë çfarë duhet bërë për atdheun”, tha ai para deputetëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



